Tevdovski: 420 milion dollarë nga Banka botërore për projekte infrastrukturore dhe investim në kapital njerëzor

Bordi i Drejtorëve të Bankës Botërore së shpejti do ta miratojë kornizën për partneritet 2019-2023 me të cilën Republikës së Maqedonisë së Veriut i jepen në dispozicion 420 milionë dollarë. Ato janë të dedikuara për projekte në sferën e infrastrukturës, përmirësimin e klimës për ekonomizim dhe investim në kapitalin njerëzor.

Marketing

Këtë e theksoi ministri i Financave Dragan Tevdovski pas takimit me drejtoreshën e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor Linda Van Gelder, në kuadër të Takimeve pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore.

“Ne presim që muajin e ardhshëm, Banka Botërore Bordit të saj do t’ia miratojë strategjinë për bashkëpunim me vendin tonë, me Maqedoninë e Veriut për periudhën e ardhshme, ku do të sigurohen 420 milionë dollarë me çka do të financohet ndërtimi i rrugëve lokale, por edhe në mënyra të ndryshme do të investohet në përmirësimin e kapitalit njerëzor në vendin tonë. Me këtë do të sigurohet përmirësimi i standardit jetësor të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”, tha Tevdovski.

Në kuadër të këtyre projekteve bën pjesë Projekti për lehtësimin e tregtisë dhe transportit për Ballkanin Perëndimor në vlerë prej 26 milionëve. Gjithashtu, projekti për ndërtim dhe rehabilitim të rrugëve shtetërore në vlerë prej 70 milionë eurove. Strategjia përfshin edhe projektin për reforma në bujqësi për zhvillimin e qendrave shpërndarëse si dhe projekte për mbështetje të reformave për zhvillim të arsimit dhe shëndetësisë dhe projektit për reformë pensionale.

Në kuadër të Takimeve pranverore, delegacioni i kryesuar nga ministri i Financave Dragan Tevdovski dhe guvernatorja e Bankës popullore Anita Angellovska Bezhoska do të realizojë më shumë takime me përfaqësues të lartë të Bankës Botërore, FMN-së, BEI dhe institucione të tjera financiare.