Së bashku me kolegun tim, Zoran Zaev, arritëm ta zgjidhim problemin me emrin midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, diçka që është veçanërisht kyçe për rajonin e Ballkanit, tha kryeministri grek, Aleksis Cipras në fjalimin e tij në Dubrovnik gjatë Konferencës së Iniciativës “16+1”, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.
“Vlerësoj se ky është moment shumë kritik për ngjarjet botërore dhe rajonale dhe duhet që krizën ta lëmë pas nesh dhe të ndërtojmë themele të reja për mbështetjen e bashkëpunimit tonë rajonal dhe global. Kështu, atë që ne jemi duke u përpjekur që ta arrijmë është të ballafaqohemi me sfidat siç janë kontestet në rajonin tonë.
Konkretisht, para ca kohësh, së bashku me kolegun tim, Zoran Zaev, arritëm ta zgjidhim problemin me emrin midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, diçka që është veçanërisht kryesore për rajonin e Ballkanit”, tha Aleksis Cipras në fjalimin në Konferencë dhe i përmendi, “nismat greke për tërheqjen e investimeve në rajon”, siç është investimi kinez “Cosco” në Pire dhe bashkëpunimi për nismën “One Belt, One Road”.
Sipas agjencisë greke të lajmeve ANA-MPA, në margjinat e konferencës u mbajt edhe takim i kryeministrave të Maqedonisë së Veriut, Greqisë dhe Kroacisë në të cilin është folur për bashkëpunimin midis tre vendeve.
“Sipas burimeve diplomatike, kryeministri britanik e përgëzoi Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut për Marrëveshjen e Prespës. Në këtë kontekst, u bisedua për bashkëpunimin e Greqisë dhe Kroacisë për fillimin e procesit inkuadrues të Maqedonisë së Veriut në BE”, publikoi ANA-MPA.
Greqia këtë vit për herë të parë merr pjesë në Nismën 16+1. Paraprakisht, shkaku për mospjesëmarrje ishte për atë se Kina dhe vendet e tjera pjesëmarrëse e kanë njohur Republikën e Maqedonisë së Veriut nën emrin e atëhershëm kushtetues.