U formua seksioni i kameramanëve pranë Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë. Qëllimi i krijimit të seksionit ishte përmirësimi i kushteve për punën e kameramanëve, si dhe përmirësimi i bashkëpunimit të kameramanëve dhe institucioneve. Në të marrin pjesë kameramanë profesionistë nga pothuajse të gjitha televizionet kombëtare të Maqedonisë si dhe nga Radiotelevizioni i Maqedonisë.
Kryetari i SHGM-së Mlladen Çadikovski përshëndeti të pranishmit dhe tha se do të mbështeste plotësisht kameramanët në kërkesat e tyre.
“Duke u bashkuar kameramanët në seksionin e SHGM-së, krijohen kushte për përmirësimin e kushteve për punën e tyre, si dhe për mbrojtjen, kudo që gjenden në terren, në institucione ose jashtë tyre. Kameramanët janë një vlerë e shtuar dhe një element thelbësor i gazetarisë hulumtuese, dhe ne presim përmes këtij seksioni të ndikojmë për komunikim më të mirë brenda redaksive, midis kameramanëve, gazetarëve dhe redaktorëve”, tha Çadikovski.
Gjatë takimit u sollën tre konkluzione ose udhëzime në bazë të së cilëve do të funksionojë seksioni i kameramanëve. Së pari, do të përgatitet një rregullore për kameramanët, si dhe për përfaqësuesit e institucioneve që punojnë në protokoll në temën e ndjekjes profesionale të ngjarjeve, praktikave vendore dhe ndërkombëtare dhe aspekteve ligjore.
Më pas të gjithë u pajtuan se duhet të organizohen takime me përfaqësuesit e gjykatave, prokurorive dhe ministrive, me qëllim që të përmirësohen kushtet për punën e kameramanëve. Kameramanët kërkuan të punohet edhe në përmirësimin e bashkëpunimit midis kameramanëve dhe gazetarëve përmes organizimit të ngjarjeve të përbashkëta të rrjetëzimit dhe aktiviteteve të tjera të ndërtimit të kapaciteteve.
Gjithashtu, u diskutua edhe për zgjerimin e këtij seksioni në të ardhmen dhe kameramanëve të tjerë, veçanërisht atyre që punojnë në qytetet e tjera në televizionet rajonale dhe lokale.
Në njoftim citohet se gjatë takimit të djeshëm, seksioni i kameramanëve njëzëri zgjodhi kryesinë e tyre. Sllave Stojanovski, Trajçe Ilievski dhe Zoran Dogov do të përbëjnë kryesinë që do të udhëheqë aktivitetet e seksionit. Në kryesinë do të hyjnë edhe nga një kameraman nga televizionet që transmetojnë program në nivel nacional.
Para disa javësh, brenda SHGM-së, u formua seksion i gazetarëve të sportit dhe në periudhën që vjen SHGM, si pjesë e përpjekjeve të asamblesë zgjedhore, do të vazhdojë të formojë seksione të ngjashme me qëllim që të lehtësojë punën e grupeve të ndryshme të gazetarëve dhe punonjësve të medias.