Këshilli belg i ministrave miratoi propozim-ligjin për inkuadrimin e Maqedonisë së Veriut në NATO

Këshilli belg i ministrave mbrëmë e miratoi propozim-ligjin për inkuadrimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, hapi i parë ndaj ratifikimit të plotë, njofton korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.

Marketing

Në propozim të kryeministrit Sharl Mishel dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Didie Rejders, këshilli i ministrave të qeverisë belge e miratoi propozim-ligjin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Aleancë.

Para se të ratifikohet në Parlament, protokolli inkuadrues duhet së pari të kalojë përmes Këshillit shtetëror, i cili duhet të japë mendim.

Këshilli shtetëror ka rol konsultativ në materiet ligjdhënëse dhe ka për obligim ta analizojë ligjshmërinë e propozim-ligjeve para miratimit në parlament. Edhe pse mendimet e tij nuk janë obliguese, ky hap është pjesë e praktikës së zakonshme në Belgjikë.

Pasi Këshilli shtetëror do të deklarohet, propozim-ligji do t’i dorëzohet parlamentit federal për ratifikim, parlamentet tjera rajonale të vendit nuk janë të involvuara në këtë proces.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme e Belgjikës për MIA-n thonë se nuk kanë mundësi tani të tregojnë sa kohë do t’i duhet Këshillit shtetëror për ta dhënë mendimin e tij dhe të jepet protokolli në procedurë parlamentare, por se bëhet fjalë për një procedurë mjaftë normale dhe se nuk priten kurrfarë pengesa.