Milani e fiton betejën me Lazion për vendin e katërt në Serie A

Milani e ka përforcuar pozitën e katërt në tabelën e Serisë A, duke siguruar fitore me rezultat 1:0 ndaj Lazios, në ndeshjen e cila u zhvillua në San Siro dhe ishte e vlefshme për xhiron e 32-të në ligën italiane.

Marketing

Në një ndeshje mjaft dramatike, ku Milani kërkoi penallti plot tri herë gjatë 90 minutave, kuqezinjtë arritën të sigurojnë fitore me epërsi minimale ndaj Lazios, duke shënuar pikërisht nga pika e penalltisë, raporton Gazeta Express.
Përderisa Milani e kishte dominuar ndeshjen sa i përket posedimit të topit, Lazio arriti ta rrezikojë më shumë portën e Pepe Reinës, i cili po e zëvendëson Gianluigi Donnarummën e lënduar.

Por, në dy rastet e mira që i patën për të shënuar, djelmoshat e Lazios nuk u treguan të saktë. Lazio i pati gjithsej 11 goditje , ndërsa Milani 16 – mirëpo, për të dy skuadrat, vetëm katër nga këto goditje ishin brenda kuadratit të portës.

Milani e gjeti golin e fitores në minutën e 79-të para se gjyqtari ta sinjalizonte përfundimin e ndeshjes. Franck Kessie e mposhti Thomas Strakoshën nga pika e penalltisë. Kuqezinjtë kishin kërkuar penallti edhe dy herë të tjera gjatë ndeshjes.

Afër fundit të ndeshjes, në minutën e 93-të, edhe Lazio kërkoi penallti, megjithatë gjyqtari i injoroi kërkesat e Lazios pasi që e vlerësoi ndërhyrjen e Ricardo Rodriguezit të rregullt.

Me këtë fitore, Milani e mban pozitën e katërt në tabelën e Serisë A, që e siguron edhe kualifikimin në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve. Megjithatë, me gjashtë ndeshje të mbetura deri në fund, Milani është ende në rrezik nga Roma dhe Atalanta, që janë vetëm një dhe 3 pikë larg tyre.