Ministria e Drejtësisë: Propozimet për PSP-në, kundër rekomandimeve të BE-së

Fati i lëndëve të futura në procedurë dhe përdorimi i “bombave” si dëshmi gjyqësore mbeten dallimet kryesore mes pushtetit dhe opozitës. Grupi i punës i VMRO-DPMNE-së, këtë fundjavë, sërish dërgoi materiale në Ministrinë e Drejtësisë për Propozim ligjin për Prokurorinë Publike, por dallimet kryesore mbeten edhe më tej. “Materialet nuk ishin në pajtim me rekomandimet evropiane për hapjen e negociatave, por bisedimet do të vazhdojnë”,- thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Marketing

VMRO-DPMNE konsideron se qasja e saj në bisedime dhe amendamentet e saj bazohen në tri parime për të cilat palët janë dakorduar.

Nëse vendi nuk merr datën për fillimin e bisedimeve me BE-në, vetëm për shkak të Ligjit për Prokurorinë Publike, përgjegjësinë duhet ta mbajë Qeveria, pasi këtë ligj e ka propozuar me vonesë, konsideron VMRO-DPMNE.

Zëdhënësi i saj, nuk deshi të japë detaje rreth propozimeve të reja të grupit punues, për të respektuar marrëveshjen e arritur që negociatat të mos transmetohen në opinion.
“Çdo gjë që zhvillohet mes grupeve punuese, në harmoni me marrëveshjen parimore mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, do të mbetet atje, për sa kohë nuk vendoset ndryshe. Nëse kemi zgjatur dorën dhe kemi marrëveshje xhentëllmenësh se nuk do të zbulojmë detaje, nuk do të zbuloj detaje”, – tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski.

LSDM e vetëdijshme për rëndësinë e miratimit të Ligjit për Prokurorinë Publike, nuk mund të lejojë që ligji të jetë në kundërshtim me rekomandimet e KE-së dhe në dëm të sundimit të ligjit.

“Për fat të keq ajo që mund të dëgjojmë nga grupet punuese është se VMRO-DPMNE në opozitë qartë dhe pa mëdyshje kërkon amnisti për të gjitha krimet e pushtetit të kaluar. Këtë, si parti përgjegjëse, nuk do ta lejojmë të ndodh”,- tha zëdhënësi i LSDM-së, Konstadin Kostadinov.

LSDM përkujtoi kreun e VMRO-së, Hristijan Mickovski, për rëndësinë e këtij ligji në procesin reformues dhe shtetin ligjor që Ligji të miratohet me konsensus dhe të evitohet si pengesë për marrjen e datës për fillimin e negociatave me BE-në.