“Almiri”, gjykata pranon si dëshmi ekspertizat pa licenca

Në rigjykimin për rastin e Almir Aliut, a po e përsërit Gjykata e Kumanovës vendimin skandaloz të shkallës së parë?
“Gjykatësja në rastin e Almir Aliut, Maja Denkoska nuk i merr parasysh rekomandimet e Gjykatës së Apelit e cila me vendimin e saj kërkon që ekspertiza neuro-psikiatrike të përsëritet për shkak se është bërë nga ekspert pa licenca.

Marketing

Ishin pikërisht këto ekspertiza pa licenca të cilat ndikuan që vendimi i shkallës së parë të kthehet për rigjykim”.

Avokati i familjes Aliu, Asmir Alispahiq konsideron se Gjykata Themelore e Kumanovës po tenton me çdo kusht t’i ndihmojë të akuzuarit Boban Iliq.

Kemi njëanshmëri të dukshme nga Prokuroria Publike por tani edhe nga Gjykata Themelore e cila ka për qëllim të vetëm t’i ndihmojë të akuzuarit Boban Iliq – tha Asmir Alispahiç, avokat i familjes Aliu.
Familja Aliu ka heq dorë nga besimi ndaj gjykatës për vendim të drejt gjyqësor.

Përfundimisht nuk kemi aspak besim në këtë gjykatë pasi që nuk e njeh Gjykatën e Apelit. Këta duan të gjykojnë ashtu siç dëshirojnë, e si mund ne të kemi besim? – u shpreh Sedat Aliu, prindi i Almir Aliut.

Mbrojtja e familjes Aliut ka kërkuar që lënda të gjykohet në Gjykatën Penale të Shkupit. Ekspertët vlerësojnë se rasti do të merrte epilog të drejt gjyqësor nëse do të gjykohej në Shkup.

Gjykata Apelit duhet ta aprovojë në këtë rast kërkesën për delegim kompetencash që është bërë nga avokatët për të shkuar lënda nga Kumanova në Shkup. Për faktin që po e njëjta gjykatë e cila solli atë vendim të parë ka filluar rigjykimin e rastit, më le të drejtën që të besoj se do të ketë delegim kompetencash – theksoi Sejfulla Osmani, ish gjykatës.

Kërkesa aktualisht ndodhet në Gjykatën e Apelit e cila pritet të vendosë nëse rasti i Almir Aliut do të gjykohet në Kumanovë apo do të fillojë gjykimi në Shkup. Kërkesa e familjes Aliu për ndërrimin e gjykatës vjen pas mohimit që Prokuroria Themelore e Kumanovës i bëri kërkesës së tyre për ta larguar nga përfaqësimi i akuzës prokuroren Suazan Kusigerska.

Rasti i Almir Aliut ka nisur nga fillimi, me akuzën “vepër të rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”. Mbrojtja e Boban Iliqit kërkon nga Prokuroria Publike të tërhiqet nga akuza dhe Iliq të lihet i lirë për shkak se sipas tyre, vepra është kryer nga nevoja ekstreme. Seanca e radhës do të mbahet më 16 maj.