Arrestohet autori i gjashtë për grabitjen në aeroportin e Tiranës – është ‘Daja’ nga Kosova

Pas dëshmisë së të penduarit që pranoi që të bashkëpunonte me drejtësinë, arrestohet personi i gjashtë për grabitjen brenda aeroportit të Rinasit në datë 9 prill, ‘Daja’ nga Kosova.

Marketing

Siç shkruan Shqiptarja, 50-vjeçari, identiteti i të cilit ende nuk dihet është arrestuar pasditen e sotme tek Shkëmbi i Kavajës në një pronë të tijën.

Ishte i penduari i drejtësisë Alkond Bengasi personi që përmendi për herë të parë para hetuesve përfshirjen e një personi nga Kosova me pseudonimin ‘Daja’.

Me të njëjtin pseudonim, ‘Daja’ në rrëfimin e tij, Alkond Bengasi i referohet edhe Admir Muratajt, tropojanit që u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë pas grabitjes.

“Unë shkoja shpesh në banesën e Klementit e cila ndodhej afër shtëpisë time dhe në këtë banesë vinte shpesh edhe Admir Murataj. Po ashtu e kam takuar Admirin edhe me një person tjetër nga Kosova i moshës rreth 50 vjeç, qeros, të cilin Admiri e thërriste me pseudonimin “Daja”” deklaroi Bengasi para grupit hetimor.

Përpos ‘Dajës’ janë arrestuar edhe pesë persona të tjerë; Oltion Veseli dhe Elton Pikli, të dy nga Kruja dyshohet se janë autorë, ndërsa Alkond Bengasi (i penduar i drejtësisë), Saimir Çela dhe Renaldo Sula akuzohen si bashkëpunëtorë.

Në kërkim janë; Talo Çela, Klement Çala, Eldi Çala, Marenglen Hoxha, ish-punonjës policie, Aleks Pepa dhe një tjetër.

Ndërkohë që koka e grupit, Admir Murataj nga Tropoja, i arratisur në 2013 nga burgu grek u vra gjatë shkëmbimit me policinë.