Edhe një shqiptar mori pjesë në vrasjen e 377 civilëve në masakrën e Mejes

15 vite kohë iu deshën drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare për ta kapur një të dyshuar për pjesëmarrjen në ekzekutimin e 377 shqiptarëve në Masakrën e Mejes, në Gjakovë, më 27 prill 1999.

Marketing

Marjan Abazi nga fshati Ramoc i Gjakovës, jo shumë larg fshatit Meje, vendit ku ndodhi masakra me më së shumti viktima në luftën e fundit në Kosovë, ishte arrestuar më 22 korrik të vitit 2014 në pikën kufitare midis Kosovës e Malit të Zi, Kullë.

Sipas EULEX-it dhe Prokurorisë Speciale të Kosovës, Abazi dyshohej për kryerjen e veprës penale të “Krimeve të Luftës kundër Popullatës Civile”, shkruan Reporteri.net.

Ai dyshohej se “ka ndihmuar kryerësve e sulmit të organizuar mirë kundër popullatës civile shqiptare në Luginën e Rekës në prill 1999, gjatë të cilit civilët i ishin nënshtruar qëllimisht vrasjes, torturës, trajtimit çnjerëzor, vuajtjes së madhe, largimit dhe zhvendosjes, masave të frikësimit dhe të terrorit, ndëshkimit kolektiv, konfiskimit të pasurisë, grabitjes dhe vjedhjes së pasurisë në shkallë të madhe që nuk arsyetohet nga nevoja ushtarake”.

Fjala është për masakrën e njohur si Masakra e Mejes, që rezultoi me 377 të vrarë në oborrin e një shkolle fillore, jo shumë larg qytetit të Gjakovës. Sot, 20 vite pas ky vend njihet si “Lëndina e Pikëllimit”, dhe ndodhen varrezat e viktimave të kësaj masakre.

Abazi ishte denoncuar nga disa familjarë të viktimave, fqinjë të tij, si pjesëmarrës në një nga krimet më të mëdha që u kryen në Kosovë gjatë luftës së fundit, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.

Fshati i lindjes së tij, Ramoc dhe fshati Meje janë ngjitur me njëri-tjetrin.

Por, pa mbushur një muaj paraburgim Marjan Abazi u gjet i vdekur brenda qelisë së paraburgimit në Pejë ku po mbahej si i dyshuar për krime lufte.

Ai vari veten mbrëmjen e 12 gushtit 2014, në dhomën e tij D-7, në Qendrën e Paraburgimit të Pejës.

Para se të kryente aktin e vetëvrasjes, Marjan Abazi kishte shkruar një letër të fundit. Përmbajtja e të cilës nuk u bë e ditur kurrë, shkruan Reporteri.net.

Ndryshe, sot, 20 vite pas, asnjë nga kryesit e Masakrës së Mejes, nuk është përgjigjur për krimet që kryen ndaj 377 shqiptarëve civil më 27 prill 1999, në Meje të Gjakovës.

EULEX-i kishte nisur një hetim ndaj 20 personave të dyshuar, përfshirë Marjan Abazin, por deri më tash nuk ka rezultuar me ndonjë të arrestuar apo të dënuar për këtë rast.

Në 20 vjetorin e kësaj masakre, drejtësi për këto viktima, nga Meja, përveç familjarëve, kanë kërkuar edhe Presidenti, Kryeministri dhe Kryeparlamentari i Kosovës, si dhe ambasadori amerikan në Prishtinë Philip Kosnett. /Reporteri.net/.