Vende të lira për 544 nxënës në shkollat e mesme në Dibër, Zhupë dhe Rostushe

Në bazë të konkursit të MASH për regjistrim  në vitin e parë shkollor 2019/2020, në tre shkollat e mesme komunale, aq sa funksionojnë  në komunat Dibër, Qendra e Zhupës dhe Mavrovë-Rostushe, mundësi për regjistrim kanë 544 nxënës të shkollave  fillore.

Marketing

“Në shkollën tonë mundësi për regjistrim në vitin e parë shkollor kanë 340 nxënës,  në dhjetë paralele,  prej të cilave katër me mësim në gjuhën maqedonase, dhe gjashtë në gjuhën shqipe. Prej tyre nëntë janë në drejtimin e gjimnazit, dhe një paralele në drejtimin gjeodet-ndërtimtari, me mësim në gjuhën shqipe”, deklaroi Shaban Alajbegu, sekretar në SHMK “28 Nëntori” në Dibër.

Sipas tij,  nga paralelet me mësim në gjuhën maqedonase, tre janë në Dibër dhe një në fshatin Mogorçe, në të cilat gjithsej mund të regjistrohen 136 nxënës. Në mësimin në gjuhën shqipe 170 janë për në gjimnaz dhe 34 nxënës për  drejtim gjeodet-ndërtimtari.

Në gjimnazin “ATA” në Qendrën e Zhupës, sipas drejtorisë,  kuota për regjistrim  në vitin e parë është 102 nxënës. Nga numri i tërësishëm, 34 nxënës ose një paralele janë me mësim në gjuhën maqedonase, ndërsa 68 nxënës ose dy paralele me mësim në gjuhën mësimore turke.

“Në SHMK “Mavrovë-Rostushe” në Rostushe, selia e komunës Mavrovë-Rostushe, në vitin e parë të drejtë për regjistrim, sipas Konkursit,  kanë 102 nxënës të shkollave fillore, në tre paralele,  të gjithë në gjuhën maqedonase”, deklaroi Ylber Imeroski, përgjegjës  i Sektorit për arsim në komunë.

Për regjistrim në gjimnaz nevojiten minimum 60 pikë, derisa për drejtimin gjeodet-ndërtimtari 45 pikë.

I njëjtë është vlerësimi i tre shkollave,  se vitet e fundit,  në asnjërën prej tyre, kuota e parashikuar  nuk ka qenë tërësisht e plotësuar.