SHBA, ikën edhe zv.kryeprokurori Rosenstein

Zëvendëskryeprokurori i Shteteve të Bashkuara, Rod Rosenstein ka njoftuar datën e dorëheqjes së pritur prej muajsh.

Marketing

Personi që mbikëqyri hetimin e prokurorit të posaçëm, Robert Mueller, për bashkëpunim mes drejtuesve të fushatës së Donald Trumpit dhe Rusisë, largohet më 11 maj, për shkak të marrëdhënieve jo miqësore me shefin e Shtëpisë së Bardhë.

Ai ka bërë të ditur gjithçka në një letër, ku veç të tjerash ka falënderuar Trumpin, por edhe ka thurur lavde për “mirësjelljen dhe humorin” e presidentit amerikan. Vetëm pak kohë më parë, Trump do të postonte në rrjetin e tij të preferuar social, Twitter, një foto që shfaqte Rosensteinin të burgosur për “tradhti”.

Rosenstein, i emëruar që prej ish-presidentit republikan George W. Bush, pritej të dorëhiqej që në muajin mars, pas emërimit të William Barr si Prokuror i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara. Por, zyrtari i dytë për nga rëndësia në Departamentin e Drejtësisë qëndroi më gjatë në punë, për të ndihmuar Barrin në publikimin e raportit të redaktuar të prokurorit special, Robert Mueller.

Raporti nuk dilte në përfundimin se drejtues të fushatës së Trumpit kishin komplotuar me Rusinë për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2016, por nuk e liroi presidentin nga “akuza” e pengimit të drejtësisë.

Shtëpia e Bardhë, ndërkohë, tha se Trump e ka zgjedhur tashmë zëvendësuesin e Rosenstein, e ai do të jetë zv.sekretari i Transportit, Jeffrey Rosen.