Kërkesa e ulur për hapësirë banesore dhe afariste, konkurrenca në sektorin e ndërtimit, shpenzimet e rritura dhe mungesa e kuadrit profesional janë në mesin e pengesave kryesore për rritjen e aktiviteteve ndërtimore. Këtë e kanë treguar rezultatet nga vlerësimi i udhëheqësve të subjekteve afariste nga sfera e ndërtimtarisë për lëvizjet afariste. Edhe pse në përgjithësi menaxherët besojnë që ka lëvizje pozitive dhe kanë vlerësuar se do të ketë rritje të butë të marrëveshjeve për punë ndërtimore si dhe të numrit të punëtorëve, megjithatë kanë theksuar se ato do të jenë mjaft të ulëta, shkruan gazeta KOHA.
“Vlerësimi për gjendjen ekonomike në tremujorin e parë të vitit 2019 është më i volitshëm në krahasim me tremujorin paraprak, madje është më i volitshëm në krahasim edhe me tremujorin e parë të vitit 2018. Ndikim më të madh ndaj kufizimit të përmirësimit të aktiviteteve aktuale ndërtimore, kanë faktorët në vijim: mungesa e kërkesës merr pjesë me 19.9 për qind, konkurrenca në vet sektorin me 13.8 për qind, shpenzimet e rritura për materiale me 13.2 për qind dhe mungesa e kuadrit të trajnuar me 13.1 për qind”, është theksuar në kumtesën e Entit Shtetëror të Statistikave. Indikacionet tregojnë se gjatë periudhës së fundit interesimi për blerje të banesave nga blerësit lokal është ulur ndjeshëm, për shkak se është krijuar përshtypja se është ulur interesimi i përgjithshëm. Theksohet se hapësira afariste ende kërkohet dhe se tani kryesisht kjo bëhet nga çiftet e reja bashkëshortore, të cilët blejnë banesa me kredi, për të cilat, megjithatë janë procedurat e vështira dhe kërkon më shumë kohë për t’u realizuar.
“Gjatë viteve të fundit, në Shkup shumicën më të madhe të banesave i blejnë banorët që jetojnë në qytetet tjera të vendit, nga e gjithë Maqedonia, të cilët më së shpeshti paguajnë me para të gatshme, por tani shumica e tyre i kanë përmbushur nevojat e tyre dhe nuk ka aq shumë blerës që do të paguanin në dorë. Për momentin, shumica e blerësve janë që paguajnë përmes kredisë, ndërsa bankat, duhet të pranojmë, se janë rigoroze në lidhje me kreditë”, thekson Nikolla Vellkovski, ekspert i ndërtimtarisë. Mes tjerash, Vellkovski theksoi se patundshmëritë llogariten si investim i sigurt për shkak se numri më i madh i qytetarëve, që kanë mjete tepricë, vendosin që të njëjtat t’i investojnë në hapësirë banesore dhe afariste, gjë që gjithashtu ka kontribuar në atë që të ketë interesim të madh për blerje të objekteve të këtilla, por edhe për ndërtimin e tyre. Kryetari i Odës së ndërtimtarisë së Maqedonisë pranë Lidhjes së Odave ekonomike, Ivica Jakimovski thotë se blerësit e hapësirave banesore më shumë janë të interesuar për kualitetin.
“Çdo ditë e më shumë blerësit janë të interesuar për kualitetin dhe kjo është një tendencë pozitive që kompanitë e ndërtimit duhet bashkërisht ta zhvillojnë që qytetarët të dinë të njohin ndërtimin kualitativ. Kursimi i financave është qëllimi i çdo familje, ndërsa në atë kontekst të investuarit në shtëpitë me efikasitet energjetik është nevojë dhe do të thotë kursim për në të ardhmen”, thekson Jakimovski. Se qytetarët janë të interesuar për kualitetin, por edhe se rekomandimi është shumë i rëndësishëm konsideron edhe Vellkovski, i cili thekson se njerëzit shumë shpesh blejnë nga kompani të njohura, brend ose me rekomandim të ndokujt që e njohin. “Sikurse te prodhimet tjera edhe banesat shiten nëse dikush ka ndërtuar imazh të njohur ose përmes rekomandimit nga dikush i afërt. Është mungesë që nuk ka analizë që tregon sa banesa në cilin rajon janë më të nevojshme. Për shkak të kësaj ndërtuesit vet vendosin ku të ndërtojnë. Shumica bazohen në lokacionin dhe pritjet për blerës potencial, gjegjësisht piketojnë lokacion që konsiderojnë se do të shiten. Nuk ka institucion që do të kishte bërë analizë ku janë të nevojshme banesat dhe atje të ndërtohet, por në bazë të intuitave të veta ndërtuesit vet vendosin”, shpjegon Vellkovski.
Mes tjerash, ai thekson se gjatë periudhës së fundit në mënyrë drastike ka rënë kërkesa për objekte afariste, për shkak se edhe shumë pak ndërtohen. “Përveç qendrave mirë të organizuara tregtare, objektet afariste në kuadër të komplekseve banesore ose diçka më larg se vendet e frekuentuara shumë vështirë shiten dhe merren me qira, prandaj shumë pak ndërtohen”, thekson Vellkovski. Analizat e ESHS tregojnë se gjatë muajit shkurt janë lëshuar 153 leje për ndërtim, që është për 13.6 për qind më pak në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Prej tyre, 52.9 për qind janë për objekte të ndërtimeve të larta, 17 për qind për objekte të ndërtimeve të ulëta dhe 30.1 për qind për rikonstruim. (koha.mk)