Vetëm në 4 muajt e parë të vitit janë konfirmuar 257 raste të prekurish nga fruthi, nga 527 raste që janë dyshuar.
Ndonëse ka një numër të prekurish më pak sesa një vit më parë, risku i përhapjes së furthit është më i madh, pasi ka rënë mbulesa vaksinale. Tirana ka numrin më të madh të të prekurve, vetëm se prindërit në disa lagje refuzojnë t’u bëjnë fëmijëve vaksinën ndaj fruthit.
“Në Tiranë, mbulesa vaksinale ndaj fruthit është 88%, nga 95% që është pragu i duhur për fruthin. Kjo, pasi që të eliminojmë fruthin, duhet të kemi një prag vaksinal mbi 95 për qind. Gjë e cila realizohet në shumë qytete të tjera të vendit. Qytetet që nuk e realizojnë këtë prag, sidomos në vitin 2018, ishin Tirana, Fieri, Lushnja dhe Delvina. Ajo çfarë shohim është se mbulesa me vaksinat e tjera është mbi 95%, vetëm për fruthin shkon në 88 për qind”, tha Silva Bino, shefe e Departamentit të Sëmundjeve Infektive, ISHP.
Në Shqipëri kishte vite që nuk shfaqej virusi i fruthit, pasi prindërit respektonin kalendarin e detyrueshëm të vaksinave.
“Shqipëria ishte një vend që u certifikua si vend pa fruth nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në vitin 2016. Por, qysh në atë vit ne pamë që kishte një tendencë për ulje të vaksinimit. Nuk arritëm të parandalojmë rastet në vend, të cilat erdhën nga raste të importuara. Dua ta theksoj që ne jemi të rrethuar nga vende ku ka qarkullim të fruthit”, tha më tej Silva Bino.
Për të ndërgjegjësuar prindërit që të mos refuzojnë vaksinën antifruth, pasi vetëm këtë refuzojnë duke e lidhur me autizmin, nis së shpejti nga Instituti i Shëndetit Publik një strategji komunikimi me ta.