“Fshesa” e Zaevit nuk fshin pa aminin e BDI-së

Kryeministri Zoran Zaev në paraqitjen e tij të fundit televizive ka paralajmëruar se menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale do të bëjë riformatim të kabinetit të tij qeveritar, ku do të zëvendësohen disa ministra. Ai nuk ka dhënë më shumë detaje lidhur me ndryshimet kadrovike, por ka thënë se me riformatimin e Qeverisë do të përfshihen edhe ministra të LSDM-së edhe të BDI-së, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

“Askush nuk do të jetë i kursyer”, ka thënë Zaev, duke theksuar se ai tanimë ka planifikuar se cilët ministra do të jenë nën ombrellën e ndryshimeve. Por, partneri më i madh i koalicionit qeveritar, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), thotë se çdo vendim, qoftë politik, apo kadrovik, merret vetëm pas arritjes së pajtueshmërisë mes partnerëve të koalicionit.

“Qeverisja me koalicion parasheh vendimmarrje konsensuale për të gjitha çështjet, përfshirë dhe emërimet dhe ndryshimet në kabinetin qeveritar. Çdo vendim, qoftë politik, apo kadrovik, merret vetëm pas arritjes së pajtueshmërisë së plotë paraprake midis partnerëve të koalicionit”, deklaroi për gazetën KOHA, Artan Grubi, deputet dhe sekretar organizativ i BDI-së. Nga ana tjetër, analisti Selim Ibraimi thotë se qeverisja në koalicion nënkupton vendime të përbashkëta dhe se parimisht, Zaevi duhet të konsultohet edhe me partnerët e koalicionit e këtu nënkupton BDI-në.

“Zaevi gjatë 2017-2019 ka arritur të jetë një manovrues duke mos ju përmbajtur vendimeve të përbashkëta që dalin nga marrëveshjet e koalicioneve qeveritare dhe pothuajse ka arritur që ministrave shqiptarë në qeverinë e tij t’ua reduktojë autonominë e vendimmarrjes. Poqë se BDI është një parti unike dhe që ka ndikim në koalicion, është tani koha ta tregojë fuqinë apo zbehjen e politikave partiake brenda Qeverisë. Në proces afatgjatë, kryeministri Zaev synon paaftësimin e ministrave shqiptarë dhe funksionimin e tyre vetëm si individë dhe pa fuqi.

Spastrimi i tij nuk ka të bëjë me luftën kundër klientelizmit, por të ministrave të gjunjëzuar që do t’i binden autoritetit të tij. Në fakt, BDI që nga 2011 ka pasur vështirësi të Qeverisë edhe me VMRO-në kur u shfaqën shenjat e para të uljes sa fuqisë politike. Ahmeti mund të demonstroi disa truke nëse do të jetë në gjendje t’i bëjë ato para se Zaevi të vendos edhe për partnerët e koalicionit”, tha për gazetën KOHA, Ibraimi.

Përndryshe, riformatimin e kabinetit Zaev e imponojnë edhe vet ndryshimet e bëra në Ligjin për organizimin dhe punën e organeve të shtetit dhe Ligjin për Qeverinë, me të cilat Sekretariati për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit Shndërrohet në Ministri për Sistem politik dhe marrëdhënie mes komuniteteve. As nga Qeveria, LSDM-ja, por edhe nga vet BDI-ja nuk japin informacione se cilët ministra mund të përfshihen me “fshesën” e paralajmëruar të kryeministrit.

“Askush nuk do të kursehet në rikonstruimin e Qeverisë”, përsëriti Zaevi, duke potencuar se ai tashmë i ka parasysh se cilët ministra do të vihen nën tjerrë.