Haradinaj: E ndala ndarjen e Kosovës

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se dialogu në Bruksel e cenojë dukshëm sovranitetin e Kosovës, ndërsa tanimë ia kanë arritur që të ndalojnë ndarjen e vendit.

Marketing

Ai para qindra anëtarëve të rinj që aderuan në degën e kësaj partie në Prishtinë ka folur edhe për dialogun me Serbinë, taksën dhe procesin e liberalizimit.

“Kosova në momentin kur e ka marrë qeverisjen e ka pas të dorëzuar sovranitetin. Kosova s’ka pas sovranitet. Ne e kemi dorëzuar sovranitetin vetëm në dialog në tavolinën e zonjës Mogherini pa na u dhënë privilegjet që na takojnë. Atë sovranitet që e kemi arrit në 17 shkurt 2008 pa asnjë kundërvlerë e kemi dorëzua në tavolinë të dialogut. Më kanë thënë zotni është kry puna e ndarjes së Kosovës. Ka pas plot këtu në Prishtinë që ka thënë se u kry, duhet me dhënë diçka, disa kodra të veriut. Nëse dikujt i duket sport i vogël me nda një proces të ndarjes së Kosovës pas aq shumë energjive, lobimeve, kurtheve, nuk ka qenë sport i vogël. Historia ka me tregu që nuk ka qenë punë e vogël mos me leju me u nda Kosova”, ka thënë ai.

I pari i Qeverisë edhe njëherë ka përsëritur se taksa e vendosur ndaj produkteve serbe ka qenë vendim i duhur dhe se nuk do të hiqet deri sa Serbia të ndërrojë pozicion karshi Kosovës.

“Se disa po thonë se me taksë po ndihmon në ndarje. Taksa ka diçka tjetër, kemi fillu me kuptu se në tokën tonë bëhen produkte të mira dhe mund të konsumojmë produkte tona. Kemi fillu me iu kthye vetvetes. Nuk po japim pare”, tha ai.
E sa i përket liberalizimit të vizave, Haradinaj vazhdon të besojë se kjo është punë e kryer.

“Liberalizimi i vizave disa po thonë sa herë ke me na uru. Ka me uru çdo ditë. Nuk është urimi çdo ditë pak, e ka thënë gjermania e Merkeli e kur e ka thënë gjermania e ka thënë Evropa. Presidenti i Gjermanisë ka thënë po kryeministër kemi liberalizim dhe kemi menjëherë”, ka thënë ai.

Në fund Haradinaj tha se partia që ai drejton tashmë ka arritur besimin e rreth 20 për qind të qytetarëve të vendit.
“Kosova ka qenë me sovranitet por edhe me shpresë të dorëzuar. Aleanca e ka kalu besimin e 20 për qind në vend. Nuk është situatë e lehtë për ne”.

Në këtë tubim u bë prezantimi i 823 anëtarëve të rinj të cilët aderuan në degën e AAK-së në Prishtinë.