Institucionet, të mobilizuara për vizitën e Papës

Institucionet shtetërore janë përgatitur për pritjen që do t’i bëhet nesër Para Françeskut në qendër të Shkupit. Pavarësisht regjimeve dhe ndalesave në rrugë dhe komunikacion, nga Qeveria njoftojnë se nesër do të jetë ditë punë. Megjithatë, të punësuarit në Shkup duhet të shmangin rrugët e qendrës dhe të përdorin ata dytësore me qëllim që të arrijnë në destinacionin e tyre. Bulevardi Filipi II do të jetë i mbyllur së bashku me Urën tek Holiday Inn si dhe rrugën përpara Parlamentit që të shpie drejt “Rekordit”. Bulevardi “Ilinden” do të jetë i hapur për trafik, si dhe bulevardi “Goce Dellçev”, i cili përmes urës shpie drejt kompleksit të gjykatave. Bregu i lumit Vardar nga të dyja anët është zonë e ndaluar për çdo lëvizje, ndërsa të mbyllur do të jenë Ura e Gurit dhe urat e tjera për këmbësorë. Qendra Klinike e Shkupit që sonte në ora 18:00 për 24 orët e ardhshme do të jetë e mbyllur. Në Spitalin shtetërorë do të mund të futen vetëm veturat e ndihmave të shpejta ndërsa pacientët dhe qytetarët që do të kenë nevojë për ndihmë mjekësore duhet të drejtohen në spitalin e qytetit, 8 shtatori.

Marketing

“Qendra Klinike në Shkup do përshtatet që në standarde të veçanta evropiane, që zbatohen në të gjithë shtetet që i viziton Papa, me qëllim që në mënyrë sa më profesionale dhe sa më të shpejtë të përgjigjet nevojave eventuale mjekësore të delegacionit të lartë të udhëhequr nga Papa. Kjo do të thotë se në qendrën klinike nga sot, më gjashtë maj, nga ora 18 deri në nesër në orën 7 deri në ora 18 nuk do të lejohet parkimi dhe hyrja e automjeteve private në rrethin e kompleksit të klinikave, do të lejohen vetëm hyrja e automobilave të ndihmës së shpejtë”, theksoi Vlladimir Milloshev, Sekretar i Ministrisë së Shëndetësisë

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Toni Angellovski thotë se gjithë pjesëmarrësit në liturgjinë e Papës do të duhet të kenë dokumente identifikimi me vete. Angelovski thotë se MPB garanton siguri dhe mbarëvajtje të meshës në ditën e nesërme.

“Ministria e Punëve të Brendshme, me shumë përgjegjësi dhe me shumë precizitet po i qaset kësaj çështje. Jemi në kontakte të vazhdueshme me Vatikanin, përfaqësuesit tanë të MPB-së kanë qenë madje atje, përfaqësues të Vatikanit po qëndrojnë këtu, po merren gjitha masat e nevojshme dhe unë ju garantoj se dita e nesërme e vizitës do të kaloj në mënyrën më të mirë”, u shpreh Toni Angellovski, Zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Brendshme

Nga Ndërmarrja Qarkulluese Publike thonë se qarkullimi i transportit publik nesër do të jetë gratis por njoftojnë se do të ketë regjim të caktuar të linjave. Linjat që nesër do të jenë funksionale janë publikuar në ueb faqen e NQP-së. Pjesëmarrësit e meshës duhet të arrijnë në Shkup më së voni në ora 6:00 për shkak të kontrolleve të sigurisë, të cilat do të bëhen nëpër rrugë, ndërsa nga ora 7:00, rrugët në pjesën qendrore të qytetit do të jenë të mbyllura për komunikacion. Hyrja në hapësirat ku mbahet Mesha e Shenjtë do të jetë e hapur nga ora 6:00 deri në orën 9:00 dhe të gjithë pjesëmarrësit e paraqitur deri në këtë kohë duhet të jenë në shesh. Në Sheshin “Maqedonia” ku mbahet Mesha e Shenjtë, do të mund të hyjnë vetëm pjesëmarrësit e paraqitur me bileta dhe dokumente identifikimi, të cilat paraprakisht i kanë marrë gjatë regjistrimit ose nga udhëheqësi i grupit.