Liverpooli dhe Barcelona luftojnë për t’u bërë finalisti i parë i këtij sezoni të Championsit

Sonte do të zbulohet finalisti i parë i këtij sezoni të Ligës së Kampionëve në përballjen mes Liverpoolit dhe Barcelonës, e cila do të zhvillohet në stadiumin e Liverpoolit, “Anfield”, në orën 21:00.

Marketing

Liverpoolit do t’i mungojnë dy ndër lojtarët kryesorë për ndeshjen kthyese kundër Barcelonës dhe detyra për ta përmbysur rezultatin 3:0 të ndeshjes së parë është bërë edhe më e vështirë për skuadrën e Jurgen Kloppit, transmeton Gazeta Express.

Barcelona kryeson me rezultat 3:0 pas ndeshjes së parë, në “Camp Nou”

Mohamed Salah dhe Roberto Firmino do të mungojnë në skuadrën e Liverpoolit

Liverpooli është i pamposhtur që 13 ndeshje në shtëpi në Ligën e Kampionëve

Barcelona e ka humbur vetëm një nga dhjetë ndeshjet si mysafir në Ligën e Kampionëve

Tottenhami ose Ajaxi do ta presë fituesin e kësaj përballjeje në Madrid, ku do të zhvillohet finalja më 1 qershor
Shpresat e Liverpoolit për ta fituar titullin e Ligës së Kampionëve këtë sezon nuk vareshin vetëm nga Mohamed Salahu, mirëpo mungesa edhe e egjiptianit, edhe e Roberto Firminos, e bën më të vështirë sfidën për skuadrën e Jurgen Kloppit.

Turma e tifozëve në “Anfield” do ta luajë gjithashtu rolin e saj. Nëse Barcelona nuk arrin t’i heshtë tifozët vendas qysh në fillim të ndeshjes me një gol të hershëm, mbrëmja mund të bëhet e sikletshme për kampionen e La Ligës.

Pas ndeshjes së javës së kaluar, lojtarët e Barcelonës u shprehën të kënaqur me punën që e kishin bërë, mirëpo ishin të vetëdijshëm që asgjë nuk kishte përfunduar ende.

Skuadra e Ernesto Valverdes punon shumë dhe është favorite për ta fituar titullin e këtij sezoni. Për shkak të shpresave të tyre për ta fituar tripletën këtë sezon, katalonasit do ta kërkojnë me ngulm një gol të hershëm si mysafir për ta siguruar një vend në finale.