Zaev në ditën e BE-së me mesazh: Po vijmë në shtëpi

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot shënoi 9 Majin – Dita e fitores mbi fashizmin njëherësh edhe Dita e Evropës, por edhe 70 vjetorin e themelimit të Unionit të Veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare dhe 75 vjetorin e mbledhjes së parë të KAÇKM-së, raporton Anadolu Agency (AA).

Marketing

Në fjalimin e tij para të pranishmëve, veteranë nga LDB, ministra qeveritarë, deputetë, kryetarë komunash dhe përfaqësues të trupit diplomatik në Maqedoninë e Veriut, kryeministri Zoran Zaev, tha se veteranët e Luftës së Dytë Botërore, na e dhanë shtetin në përkujdesje, ta zhvillojmë dhe t’i japim botës vlerat dhe trashëgimisë kulturore të vendit, unitetin tonë dhe kulturat e popujve tanë.

“Ne qytetarët e Maqedonisë së Veriut, kemi zgjedhur Evropën dhe Bashkimin Evropian, sepse janë ndërtuar mbi vlerat në të cilat ne besojmë dhe të cilat i praktikojmë. Nga sot, kemi arsye të forta të festojmë dhe të jemi pjesë e kremtimeve anembanë Evropës”, tha Zaev i cili shtoi më tej se shteti u krijua si shtëpi e lirisë, një shtëpi e unitetit dhe respektit të ndërsjellë për të gjithë qytetarët e saj, një vend për të gjithë dhe i të gjithëve, ashtu siç është BE-ja sot.

Në fund të fjalës së tij, Zaev dërgoi mesazhin drejtuar siç tha, miqve tanë në BE me ç‘rast theksoi: “Ne po vijmë në shtëpi”.

Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së Dytë Botërore, Nikollas Stojanoski, në fjalën e tij citoi Umberto Ekon i cili thotë: “Duhet të jemi vigjilent për fenomenet fashiste dhe të jemi në gjendje t’i njohim”.