Qytetarët e Serbisë nuk janë optimist kur është fjala për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ka dëshmuar anketa hulumtuese e Agjencionit “Faktor Plus” në bashkëpunim me gazetën “Blic”, transmeton “Bota Sot”.
Ata po ashtu nuk presin që presidenti i Serbisë të nënshkruaj pranimin e Kosovës, ndërkohë që shumica mendojnë se ky problem nuk do të zgjidhet shpejt.
Në pyetjen “A mendoni se presidenti i Serbisë apo kryeministrja do nënshkruajnë pavarësinë e Kosovës”, 78 për qind e të anketuarve është përgjigjur negativisht, ndërsa vetëm 15 për qind mendojnë se do të nënshkruaj, e 7 për qind nuk kanë qëndrim.
“Blic” ka shkruar se hulumtimi është bërë para se presidenti Vuçiq para disa ditëve deklaroi se nuk do nënshkruaj pavarësinë. Gazeta transmeton deklaratën e Vladimir Pejiç nga Agjencioni “Faktor plus” se në kohët fundit është folur shumë për këtë temë dhe qytetarët jo që nuk janë për, por as nuk besojnë se do ndodh njohja e pavarësisë.
Në pyetjen çka është zgjidhja më e mirë për qëndrimin e Serbisë dhe banorët e saj për problemin e Kosovës, 50 për qind e të anketuarve janë përgjigjur “konflikti i ngrirë “, 32 për qind mendojnë marrëveshja për përcaktim kufiri të dy palëve dhe 8 për qind pranimi i pavarësisë së së Kosovës.
Pejiç konstaton se ndonëse konflikti i ngrirë nuk është definuar, njerëzve iu është më e pranueshme sepse nuk kërkon as heqje dorë personale as kombëtare dhe Kosova edhe më tutje nuk është pranuar. Kur është fjala për ndjenjat dhe Kosovën, janë ofruar shumë opsione të përgjigjeve,ndërsa tek 61 për qind ka dominuar pikëllimi, te 46 shpresa ndërsa 31 për qind e tjerëve tërbimi.
Në pyetjen në cilën afat kohor pritet zgjidhja e çështjes së Kosovës, qytetarët nuk janë optimist. Gati gjysma (47 për qind) mendojnë se nyja e Kosovës nuk do të zgjidhet në 5 deri 10 vjetët e ardhshme, 22 për qind presin që kjo të zgjidhet në një ose dy vitet që vijnë, ndërsa 14 përqind mendojnë deri në fund të vitit.
Zgjidhja e çështjes së Kosovës nëse e mbështesin fuqitë e mëdha Rusia, ShBA dhe BE e Kina e kanë mbështetur 46 për qind e të anketuarve, por vetëm nëse mbetet në përbërje të Serbisë.
Nëse fuqitë e mëdha të përmendura janë garant të marrëveshjes, një marrëveshje të këtillë do ta mbështesin 40 për qind e qytetarëve të anketuar, ndërsa nga 7 përqin janë përgjigjur me “po” dhe “jo”.
Anketuesit në hulumtim janë përgjigjur edhe në pyetjet në lidhje me Bashkimin Evropian.
Në pyetjen “A pritni që afatin prej 5 deri 7 vjet Serbia mund të bëhet anëtare e plotfuqishme e BE-së, 46 për qind janë përgjigjur se kjo ka pak gjasa të ndodhë për shkak të problemeve brenda BE-së dhe çmimit kombëtar-shtetëror, 24 për qind thonë se Serbia do të hyj në BE nëse ajo mbijeton, por do të i duhet të anëtarësohet apo të afrohet me NATO-n.
Rreth 18 për qind janë përgjigjur “po nëse vazhdon të realizoj reformat dhe nëse BE hap përsëri procesin e zgjerimit me shtetet e mbetura ballkanike, ndërsa 12 për qind se nuk do bëhet pjesë sepse BE shkatërrohet.