Në ambientet e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tetovës u promovua libri „Parimology“ i
autorit Lulzim Selimi, student i vitit të katërt në Programin studimor Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Në
promovimin e këtij libri të pranishëm ishin rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, dekani i
Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani, profesorë, studentë, miq dhe familjarë të autorit.
Pjesëmarrësve me fjalë përshëndetëse iu drejtua dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton
Sulejmani, i cili e uroi studentin Lulzim Selimi për punën dhe përkushtimin e tij, që ka bërë deri në botimin e
këtij libri. „Fakulteti ynë, krahas punës arsimore e shkencore, që e kryen në të tri ciklet e studimeve, ka qenë
dhe është bartës edhe i shumë ngjarjeve të rëndësishme të UT-së, si: Seminari i Albanologjisë, Konferenca e
Fakultetit të Filologjisë, revista e studentëve „Përtej“ etj. Por, angazhimi i stafit akademik prore i ka
mbështetur dhe do t’i mbështesë iniciativat e studentëve tanë me të gjitha mundësitë e kapacitetet që kemi.
Andaj, edhe ky manifestim paraqet një mundësi të shkëlqyer për studentët”, tha Prof. Dr. Berton Sulejmani.
Redaktorja e librit, Doc. Dr. Emine Shabani tha se autori në këtë libër ka kapur koncepte të
mirëdefinuara mbi raportet mes njerëzve. „Në fillesat e një zhvillimi të këtillë intelektual, hapëron edhe
Lulzim Selimi, absolvent në Programin studimor të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Universitetit të Tetovës.
Ai është eseist, i cili në shkrimet e tij shtjellon tema nga më të ndryshmet, tema që përmbajnë elemente nga
përditshmëria shoqërore, të raporteve ndërnjerëzore, padrejtësive politike dhe religjioze, të kohës së sotme
dhe të shkuarës, të cilat i vë nën optikën kritike dhe me guxim e arsye i shtjellon në esetë e tij“, theksoi Doc.
Dr. Emine Shabani.
Autori i librit, Lulzim Selimi e falënderoi redaktoren e librit Doc. Dr. Emine Shabanin për mbështetjen
dhe motivin që i ka dhënë për të arritur deri në botimin e veprës së parë. Ai tha se, edhe në të ardhmen do të
vazhdojë të punojë në këtë drejtim, që te lexuesit të paraqitet edhe me botime të tjera.