Nuk ka diskriminim në ndalesën për regjistrim të fëmijëve të pavaksinuar në shkolla dhe kopshte

Nuk është diskriminim ndalesa për regjistrim dhe pranim të fëmijëve të pavaksinuar me MRP në kopshte dhe shkolla, konsideron Komisioni për mbrojtje nga diskriminimi.

Marketing

I nxitur nga parashtresat e qytetarëve dhe qëndrimet e thëna publikisht në mediume, Komisioni solli Mendim të përgjithshëm sipas të cilit kërkesa për vërtetim se një fëmijë është vaksinuar me MRP gjatë regjistrimit në kopsht apo shkollë nuk paraqet diskriminim në asnjë bazë, përfshirë bindjen, gjendjen shëndetësore, mbrojtjen sociale dhe qasjen drejt të mirave dhe shërbimeve.

Komisioni vlerëson se masa për ndalesë korrespondon me nevojat reale dhe është proporcionale me efektet që duhet të arrihen.

“Nuk ekziston diskriminim sepse masa ka qëllim legjitim (objektivisht të arsyetueshëm), në pajtim me nenin 5 pika 8 nga Ligji për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi. Ajo nuk është në kundërshtim me Kushtetutën dhe dispozitat e marrëveshjeve ndërkombëtare, korrespondon me nevojat reale sepse është shpallur epidemi dhe është rrezikuar jeta dhe shëndeti i fëmijës, si dhe jeta dhe shëndeti i fëmijëve të tjerë të cilët janë në kontakt me fëmijët e pavaksinuar. Masa është definuar saktësisht dhe paraprakisht sepse është sjellë pas procedurës së paraparë dhe nga organet kompetente, ndërkaq edhe të gjithë prindërit dhe kujdestarët janë informuar në mënyrë efikase”, arsyeton Komisioni.

Mendimi i përgjithshëm i Komisionit ka të bëjë me të gjitha parashtresat të cilat përmbajnë zëra për gjoja diskriminim që tashmë janë parashtruar apo fillimisht do të parashtrohen në Komision.

Marketing