Në Grykën e Gërdelicës, në mënyrë solemne sot është lëshuar për qarkullim aksi jugor i autostradës së Korridorit 10, që e lidh kryeqytetin e Serbisë – Beogradin me kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut – Shkupin, transmeton Portalb.mk.
Fjalime gjatë ceremonisë solemne kanë mbajtur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministrja Ana Bërnabiq, dhe ministrja e Ndërtimtarisë, Transportit dhe Infrastrukturës, Zorana Mihajloviq.
“Për autostradën e Korridorit 10 është pritur më së paku 30 vjet dhe tash ai ajo është e përfunduar. Në pyetje ishte ndërtimi më i vështirë në Evropë, në aksin rrugor prej 26.3 kilometra”, tha Mihaloviq.
I pranishëm në ngjarje ka qenë edhe kryesuesi i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Milorad Dodik dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Zaevi gjatë fjalimit të tij vlerësoi se kur punohet vyeshëm dhe me përkushtim, rezultatet janë evidente.
“Kështu është kur punohet vyeshëm dhe me përkushtim, rezultatet janë evidente. Tash qytetarët e të dyja shteteve kanë autostradë. Tash prej Shkupi deri në Beograd do të udhëtohet për 4 orë. Zvogëlimi i distancës fizike është e duhura për miqësinë dhe afërsinë ndërmjet dy kombësive që e bartin thellë në zemrat e tyre. Korridorit 10 tash i ngjanë vlera, lidhja dhe komunikimi evropian. E sjellim Evropën këtu në Ballkan”, tha Zaev.
Me hapjen e aksit jugor të Korridorit 10, afër Grykës së Gërdelicës – Serbi, do të mundësohet lidhje e Beogradit me Shkupin, me çka koha e udhëtimit do të shkurtohet deri në 4 orë.
Në aksin përmes Grykës së Gërdelicës të gjatë 26,3 kilometra, vozitësit nga Maqedonia e Veriut dhe Serbia do të kenë mundësi të kalojnë nëpër dy tunele të reja dhe 33 ura.
Korridori 10 është një nga korridoret më të rëndësishme transportuese pan-evropiane që kalojnë nëpër Serbi dhe i lidhë Austrinë, Hungarinë, Sllveninë, Kroacinë, Serbinë, Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë.