Milani arriti të mposhtë Frosinonen me rezultatin 2-0 dhe të ngjitet përkohësisht në vendin e katërt të renditjes së Serisë A dhe do të shikojë nga Torino, me shpresën që Atalanta do të humbë ndaj Juventusit.
Kuqezinjtë e Gattusos vuajtën jo pak ndaj një kundërshtari që e ka rënë në Serinë B dhe luan më shumë për prestigj, ndërsa pas një pjese të parë pa gola, 45-minutëshi i dytë nisi me një penallti për Frosinonen.
Nga pika e bardhë shkoi Ciano, por goditja e tij u grushtua bukur nga Donnarumma, i cili mbajti gjallë shpresat e Milanit, ndërsa rezultati u zhbllokua vetëm në minutën e 57’, kur Piatek shtyu në rrjetë një krosim të saktë të Borinit.
Vetëm 9 minuta më vonë ishte spanjolli Suso, i cili ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi, duke e çuar në trekëndëshin e portës së Bardit, për ta ndalur në rrjetë dhe për t’u dhënë qetësinë shokëve të tij të skuadrës.
Milani shkon kështu në vendin e katërt me 65 pikë, aq sa ka edhe Atalanta e vendit të pestë.