Mblidhet Komiteti Qendror i LSDM-së, diskuton ndryshimet kadrovike

Në mbledhjen e Komitetit Qendror të LSDM , që pritet të mbahet pasdite në selinë e LSDM-së, do të diskutohen ndryshimet kuadrovike në radhët e partisë, por edhe të pushtetit ekzekutiv që i paralajmëroi kryeministri dhe lideri i partisë Zoran Zaev mes dy raundeve të zgjedhjeve presidenciale.

Marketing

Një nga lëvizjet e para të Zaevit në kuadrin e të ashtuquajturit operacioni “fshesa” ishte ndryshimi i kryetarëve të 78 organizatave komunale të LSDM-së, ndërsa për në fillim të qershorit u njoftua se do të pasonin ndryshimet në sektorin publik, pra në ndërmarrjet publike, ministritë, në Qeveri dhe në të gjitha institucionet qeveritare.

Në lidhje me ndryshimet e shpallura në pushtetin ekzekutiv, Zaev në fillim të kësaj jave në rrugën “Ilindeni” nr.2, pati një takim me partnerin e koalicionit – kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, në të cilin ranë dakord që fillimisht të zhvillojnë konsultime në të dy partitë politike dhe për javën tjetër paralajmëruan takimin e tyre të ri.

Qëllimi i këtyre iniciativave është të ofrohet zgjidhje kuadrovike për forcimin e kapaciteteve të institucioneve për të arritur rezultate më të mira në planin ekonomik dhe për të përmbushur pritjet e qytetarëve, njoftojnë nga Qeveria.
Lideri i BDI-së Ali Ahmeti, në një deklaratë për media tha se ata mbeten në kërkesën për verifikim të deputetëve dhe zyrtarëve që kryejnë aktivitete publike dhe se ai ka kërkuar këshilla për zbatimin e vetingut, me të cilin, siç thotë, do të parandalohen sulmet ndaj zyrtarëve dhe përhapja e lajmeve të rreme.

Sipas deputetit të BDI-së Artan Grubi, vetingu që sugjeron BDI-ja nuk ka lidhje me fshesën e Zaevit. Partia ka në plan të ketë veting të dyfishtë, një veting partiak për të kontrolluar kandidatët për anëtarësim në BDI dhe një veting institucional.

“Qoftë deputet, ministër, drejtor, ose kushdo tjetër duhet të kontrollohet para se të emërohet. Për të garantuar që njeriu që do të votohet në Parlament është një person i pastër dhe pa damka në karrierë”, tha Grubi.
Duke komentuar deklaratën e tij, Zaevi tha se të gjithë partnerët e koalicionit kanë të drejtë të japin komentet e tyre, por edhe të dinë se çfarë do të ndodhë me rikonstruksionin e Qeverisë.

Në panelin pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale më 21 prill, Zaevi iu drejtua përkrahësve që qëndruan në shtëpi dhe ishin të pakënaqur me autoritetet duke njoftuar se ai do të bëjë “spastrimin” e zyrtarëve në nivel lokal dhe qendror ndërsa aktori Dragan Spasov – Dac i dhuroi atij një fshesë.
Sipas Zaevit, kriteret kryesore për operacionin “fshesa”, do të jenë arroganca, dështimi në përmbushjen e pritjeve, mosbashkëpunimi dhe nepotizmi.