Çmimi i karburanteve prek majat

Qytetarët në Maqedoninë e Veriut me një pagë mesatare prej 24 mijë denarë mund të blejnë 388 litra karburant të naftës, ndërsa fuqinë më të lartë blerëse në rajon e kanë qytetarët e Sllovenisë që mund të blejnë 866 litra me një pagë mesatare. Raporti i fuqisë blerëse tregon se, për vitin e kaluar, të dhënat e EUROSTAT-it tregojnë se më shumë karburante se ne mund të blejnë edhe banorët e Kroacisë – 641 litra, dhe ata të Malit të Zi – 402 litra, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

>
Më dobët se ne qëndrojnë banorët e Serbisë me 333 litra dhe ato të Bosnje e Hercegovinës me 385 litra. Nga shtetet evropiane, në vendin e parë renditet Lihtenshtajni me një pagë mesatare prej 4900 euro që mundëson blerjen e 4238 litrave apo dhjetë herë më shumë se tek ne. Në Zvicër mund të blihen 3526 litra, në Danimarkë 2226 litra, ndërsa në Gjermani mund të blihen 1845 litra.

Në ndërkohë, sipas të dhënave të fundit, çmimi i karburanteve të naftës në vend është 64 dhe 73 denarë. Sipas Komisionit Rregullator për Energjetikë në çmimin përfundimtar të derivateve të naftës përllogaritet edhe marzha prej 4.6 denarë për litër, si dhe kompensimi ekologjik prej 0.080 denarë për benzinën dhe 0.030 denarë për naftën. Në këtë çmim hyn edhe kompensimi për rezervat e detyrueshme të naftës prej 0.890 denarë për një litër benzinë dhe 0.300 denarë për një litër naftë.

Në çmimin përfundimtar përllogaritet edhe akciza në vlerë prej 21.8 denarë për një litër Super 95, si dhe 21.7 denarë për një litër të Super 98. Paguhet edhe akcizë në vlerë prej 15.3 denarë për një litër naftë. KRE me metodologjinë e re ka rritur marzhën nga 3.2 në 4.6 denarë për litër, përkundër asaj se tregtarët kanë kërkuar marzhë prej 6.2 deri 6.5 denarë. Njëherazi, harxhimi i transportit është përllogaritur me 0.75 denarë për litër. Prej janarit të vitit 2018, është vendosur edhe akciza shtesë prej 3.5 denarë për një litër karburant. Edhe me metodologjinë e re që zbatohet nga fundi i këtij muaji, kursi i dollarit në raport me denarin dhe lëvizja e çmimeve të naftës së papërpunuar në bursat botërore mbeten kriteret kryesore në bazë të së cilave përcaktohet çmimi me pakicë i karburanteve nëpër pompat e benzinës në shtet.

Krahasimi i çmimeve të karburantit të naftës Ultra 95 të kompanisë Makpetroll tregon se në 11 dhjetor të vitit 2018, çmimi i këtij karburanti ka qenë 61.5 denarë , për t’u rritur më 64.5 denarë në fillim të muajit mars të këtij viti dhe për të arritur në 71 denarë në 28 maj. I njëjti karburant ka pasur luhatje të çmimeve prej 64 denarë në mesin e muajit maj të vitit 2017 për t’u rritur në 74.5 denarë në mesin e muajit tetor të vitit 2018. Gjithashtu , krahasimi i kostos së benzinave për muajin maj tregon se qytetarët e Maqedonisë së Veriut, në dhjetë vitet e kaluara, çmimin më të shtrenjtë e kanë paguar në maj të vitit 2012, kur Eurosuperi 95 ka kushtuar 82 denarë, Eurosuperi 98 – 84 denarë, ndërsa dizeli – 72 denarë.

Kjo paraqet një rritje të madhe të çmimeve të karburanteve në raport me çmimi prej 54.5 denarë të Super 95 , të Super 98 prej 56 denarë dhe të dizelit prej 44.5 denarë në prill të vitit 2009.

Marketing