Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar vendosjen e tarifave ndaj të gjitha produkteve që hyjnë në vend nga Meksika, në një përpjekje për të frenuar emigracionin ilegal.
Përmes një “cicërime” në Twitter, Trump tha se duke nisur nga 10 qershori, një tarifë prej 5% do të vendoset dhe me kalimin e kohës do të rritet pak nga pak “derisa problemi i emigracionit ilegal të zgjidhet”.
Sipas Trumpit, tarifat do të rriteshin me 5% çdo muaj deri më 1 tetor, kohë në të cilën do të shkonin në 25%.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë shpalli emergjencën kombëtare për të luftuar atë që ai pretendon se është një krizë në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara. Agjentët kufitarë thonë se janë tronditur, ndërsa kritikët shprehen se ata po e keqmenaxhojnë situatën dhe keqtrajtojnë emigrantët.
Jesus Seade, kryediplomati i Meksikës për Amerikën e Veriut, tha se tarifat do të ishin “shkatërrimtare”. “Nëse kjo masë gjen zbatim, atëherë ne duhet të përgjigjemi reciprokisht”, tha ai.
Gjatë fushatës zgjedhore dhe përgjatë të gjithë kohës në detyrë, presidenti Trump ka qenë në kërkim të fondeve për të ndërtuar një mur në kufirin SHBA-Meksikë. Ai shpalli gjenden e emergjencës kombëtare në shkurt, në përpjekje për të devijuar fonde federale për murin, por gjykata i bllokoi këto përpjekje gjatë majit.
Shtëpia e Bardhë njoftoi të enjten se presidenti do të përdorte Aktin ndërkombëtar për Emergjencat Ekonomike për të implementuar tarifat e reja me Meksikën. Njoftimi erdhi në të njëjtën ditë, kur Shtëpia e Bardhë i tha Kongresit se kishte planifikuar të vijonte me një marrëveshje të re tregtare me Meksikën dhe Kanadanë.