Dy ditë më parë, në një konferencë për mediat kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, nuk foli gjatë për komentin e presidentit Thaçi, në lidhje me bashkimin kombëtar, por theksoi se me rëndësi është që Shqipëria të heqë taksën e rrugës së Kombit që ka vendodur për qytetarët e Kosovës.
“Bashkimi kombëtar është një projekt i shekujve, por në etapën që ndodhemi është me rëndësi që Shqipëria e Kosova ta thellojnë bashkëpunimin dhe t’i heqin pengesat tjera. Ose ta heqin taksën e rrugës që e kanë nxjerrë atje për qytetarët e Kosovës”, tha Haradinaj.
Ndërsa dje, në një deklaratë në ‘Debat’, për televizionin publik RTK, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka përsëritur çështjen e taksës, skanerit, që shteti shqiptar ka vendosur në ‘Rrugën e Kombit’.
“E lus presidentin t’i kërkojë Edi Ramës t’ia nisë prej hapit të parë. Ta heqë taksën, skanerin. T’ia nisim kështu bashkimin. Unë jam per një bashkim konkret e jo të fjalëve të mëdha. I kisha lutur të gjithë të bëjmë kujdes: që të mos shkojnë fjalët para punëve”, ka thënë Haradinaj.