Stojançe Angellov kërkon 635 mijë euro për branitellat!

18 vite pas konfliktit të vitit 2001, ish gjenerali Stojançe Angellov i kërkon Qeverisë nga 1 milion denarë për 17 familje policësh të vrarë gjatë luftimeve. Në kërkesën zyrtare deri tek e cila ka ardhur TV Shenja, shkruan se paratë do tu ndahen 17 familjeve të policëve, për dhimbje shpirtërore për shkak të vdekjes së familjarit të afërm.

Marketing

Shuma që Angellov ia kërkon qeverisë për çdo familje që i është vrarë familjari polic në konflikt është 1 milion denarë, apo 16 mijë e 260 euro.

Angellov në kërkesën e tij merr disa shembuj të dëmshpërblimit të pjesëtarëve të sigurisë në Maqedoni në rastin e “Kumanovës” por edhe dëmshpërblimin e ushtarëve për konfliktin e vitit 2001.

Ai bën paralele të pjesëtarëve të policisë që morën pjesë në rastin e Kumanovës, pas vdekjes së të cilëve, familjet morën nga 70 mijë euro, ndërsa personat e tjerë të lënduar poashtu morën shuma të majme dëmshpërblimi.

Në kërkesë shkruan se Ministria e punëve të brendshme ka sabotuar kërkesat e familjeve të policëve të vrarë nëpërmjet Gjykatës Supreme e cila ua ka hedhur poshtë vendimet për dëmshpërblim gjykatave më të ulta. Në tentativën e dytë të familjarëve për padi në gjykatë, kishin hasur në refuzim të plotë nga të njëjtat gjykata që më parë ua kishin pranuar kërkesat.

Kërkesa e ish pjesëtarit të forcave policore Stojançe Angellov mban datën 5 shkurt të këtij viti. Kjo kërkesë gjendet në procedurë në Qeveri, për vendim eventual, por ende nuk është proceduar deri në fund dhe nuk është nënshkruar nga kryeministri si vendim i kryer.