“Bombat e El Cheka-s”, Ahmeti: Fyerjet ishin në formë të shakasë

Një pjesë e bisedave të përgjuara të zyrtarëve të lartë të BDI-së të cilat po i publikon “El Cheka” në rrjetet sociale, janë materiale të cilat i posedon edhe Prokuroria Speciale Publike. Këtë e konfirmoi e para e PSP-së, Katica Janeva e cila theksoi se ekspertët brenda ekipit saj janë duke hetuar nëse bombat kanë dalë nga PSP, duke shtuar se përmbajtja e tyre po hetohet me qëllim konstatimin e veprave të mundshme penale.

Marketing

Ka një pjesë e tyre që janë pjesë e jona, pra ato që janë detektuar, ndërsa një pjesë jo sepse akoma po punojmë. A kanë dalë nga ne apo jo duhet të verifikohet sepse në këtë moment nuk mund të garantojmë asgjë. Gjatë periudhës së ardhshme do të analizohen dhe do t’ju përgjigjemi në kohë – deklaroi Katica Janeva, Kryeprokurore e PSP-së.

Në shënimin e 17 vjetorit të themelimit të partisë, kreu i BDI-së Ahmeti foli edhe për bombat. Ali Ahmeti pretendon se të njëjtat nuk i ka dëgjuar, duke shtuar se bëhet fjalë për biseda private të cilat do humbin vëmendjen e opinionit shumë shpejtë. Në manifestim morën pjesë edhe protagonistët e bisedave të publikuara në opinion, por asnjëri prej tyre nuk pranoi të prononcohet.

Unë nuk kam veshë për të dëgjuar se kush çka ka bërë ndonjë shaka duke filluar nga unë nëpër përgjimet që kanë ndodhur. As nuk i kam dëgjuar se as nuk i dëgjoj, sepse këtu ka organe nga të cilët kemi kërkuar hetim, por jo të përdoren e keqpërdoren ne tregun e zi përgjime të cilat janë shitur në Bit Pazar, Sofje, Stamboll e Ferizaj e Prishtinë për të parë se çfarë kanë folur privatisht. Pse nuk jepen bisedat zyrtare të Ali Ahemtit. Athua ky popull nuk e di që për 17 vite unë nuk kam biseda zyrtare me asnjë funksionar. Nuk jepen ato sepse BDI nuk ka nevojë për fushatë dhe këtu është heshtja – deklaroi Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

“El Cheka” ka vazhduar me publikimin e materialeve të përgjuara për të cilat pretendon se i ka siguruar nga disa pjesëtar të grupit të Kumanovës. Pas ngritjes së akuzës nga Prokuroria Themelore e Kërçovës, disa profile me emrin e tij ku shpërndahesh bombat janë mbyllur, ndërsa së fundmi të njëjtat janë publikuar nëpër “fan page”.

Përmes një video prononcimi, “El Cheka” ka shprehur shqetësimin për kërcënimin e pjesëtarëve të grupit të Kumanovës të cilëve i ka porositur që të kenë kujdes me ushqimin e shërbimet në burgje, pasi që sipas tij ka plane për likuidimin e tyre. Në bisedat që po publikohen protagonist janë kreu i BDI-së Ali Ahmeti me bashkpartiakët Musa Xhaferi, Blerim Bexheti, Fatmir Deari, Bekir Asani etj.