Protokolli për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO nesër do të jetë para deputetëve estonezë.
Dokumenti është vendosur në rend dite të seancës së Parlamentit të Estonisë, i cili do të jetë vendi i 17-të që do ta ratifikojë Protolkollin, pasi këtë javën e kaluar e bëri Bundestagu gjerman.
Gjashtëmbëdhjetë nga 29 vende-anëtare e zyrtarizuan inkuadrimin e Maqedonisë së Veriut në unionin më të madh ushtarak-politik në botë.
Autoritetet në vend, por edhe përfaqësuesit e lartë të Aleancës shpresojnë se tërë procesi do të përfundojë deri në dhjetor, kur pritet Samiti i NATO-s në Londër.
Në Samitin e dhjetorit, Aleanca e shënon 70 vjetorin dhe kjo mendohet si një mundësi e mirë që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtarja e 30-të. megjithatë nëse procedura nuk përfundon deri atëherë, pritjet janë që vendi edhe zyrtarisht të bëhet pjesë e NATO-s dhe të marrë pjesë në procesin e sjelljes së vendimeve në fillim të vitit të ardhshëm.
Ambasadorët e 29 vendeve anëtar më 6 shkurt në selinë e NATO-s e nënshkruan Protokollin për anëtarësim, ndërsa e para ishte Greqisë që e ratifikoi. Komisioni për punë të jashtme të Senatit amerikan nesër do të ketë dëgjim lidhur me inkuadrimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.