Presidenti Thaçi dekoroi Presidentin Clinton me “Urdhrin e Lirisë”

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur Presidentin e 42-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, në 20 vjetorin e lirisë së Kosovës.

Marketing

Presidenti Thaçi ka thënë se presidenti Clinton është simbol i besimit, optimizmit dhe shpresës për qytetarët e Kosovës.

Ai ka pohuar se presidenti Clinton ishte lideri që bashkoi botën kundër padrejtësive, ishte politikani më këmbëngulës për të siguruar lirinë e Kosovës.

“Ne përulemi me një mirënjohje të thellë para jush për lirinë e Kosovës. Shprehim mirënjohje të madhe për SHBA-në që udhëhoqi në fushatën për të ndalur spastrimin etnik dhe për t’i kthyer në shtëpitë e tyre qytetarët e Kosovës, për të rindërtuar jetë të re dhe paqe për të gjithë”, ka thënë presidenti Thaçi.

“Dhe nuk ka sesi të mos ndjehemi krenarë që këtij kontribuuesi të madh të lirisë sonë t’i shprehim mirënjohjen e thellë që populli i Kosovës ndjen për të. Faleminderit president Clinton!”, ka shtuar ai.

Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij për lirinë e Kosovës, presidenti Thaçi e ka dekoruar presidentin Clinton me Urdhrin e Lirisë.

“Duke u bazuar në kompetencat e mia si President i Kosovës, por edhe si mik i juaji, sot ndaj çmimin në emër të institucioneve të Kosovës, popullit të Kosovës, “Urdhrin e Lirisë”. Nuk ka çmim që mund të shpërblejë atë kontribut tuajin, se dekorimi më i madh është liria e vendit të Kosovës që ka reflektuar me paqe dhe stabilitet në krejt Ballkanin Perëndimor”, ka shtuar ai.

Presidenti Clinton, pasi pranoi dekoratën, u shpreh se Kosova e meriton lirinë dhe vendin në NATO dhe Bashkim Evropian.

Presidenti Thaçi shtoi se mirënjohja më e lartë për presidentin Clinton është Kosova e rindërtuar, që jeton në liri dhe punon për paqe kudo në botë.