Këtë mëngjes në qendër të Shkupit është vendosur një biçikletë me përmasa gjigante, me qëllim që të ngritet vetëdija për vjedhjet biçikletave, problem me të cilin ballafaqohen rreth 150 mijë qytetarë.
Sipas vlerësimeve, gjatë dhjetë viteve të fundit janë vjedhur mbi 70 mijë biçikleta, gjegjësisht thuajse çdo çiklisti i është vjedhur së paku një biçikletë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Aktivistët të cilët e vendosën biçikletën, thonë se policia për momentin nuk është e suksesshme në luftën kundër këtij problemi.
“Pothuajse çdo çiklistit i është vjedhur të paktën një biçikletë. Policia nuk ka sukses në luftën kundër vjedhjeve – ata gjejnë çdo të njëmijtën biçikletë të vjedhur. Ky problem prek më shumë se 150.000 qytetarë të cilët përdorin biçikletën si mjet funksional, ekologjik dhe të shëndetshëm. Për fat të keq, shumë prej tyre në vitet e fundit kanë mbetur pa biçikletat e tyre”, thonë aktivistët.
Biçikleta e vendosur në qendër të Shkupit është e përpunuar nga metali dhe është me dimensione 3 x 1.8 metra.