Reagon Basha pas shpalljes së tij si i pandehur: S’më bëhet vonë fare, akuza qesharake të sajuara nga prokuroria

I menjëhershëm ishte reagimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dje pas njoftimit të Prokurorisë së Tiranës që e shpallte atë të pandehur dhe i kërkonte të paraqitej të hënën të njihet me akuzat për çështjen e lobimeve në SHBA. Në rrjetet sociale, Basha u shpreh se nuk i bëhet vonë fare, ndërsa akuzat i quajti qesharake. “Edi Rama, me metoda putiniane, ka vendosur të hapë hetime kundër meje, me akuza qesharake, të sajuara keq nga prokuroria e tij politike. Mua nuk më bëhet vonë fare për këto akuza dhe këtë hetim politik. Edi Rama ka menduar se do të më trembë mua apo do të stepë opozitën, por do ta kuptojë shpejt se unë as nuk trembem dhe as nuk tërhiqem! Edi Rama ka një vit e gjysmë që mban si shpatë në dorë një hetim absurd, pa prova dhe pa asnjë fakt kundër Partisë Demokratike. Tani që është në dëshpërim për të larguar vëmendjen nga kriza politike dhe skandalet për bashkëpunimin me krimin për të vjedhur zgjedhjet, Edi Rama ka vendosur që të sajojë akuza absurde për të shpërqendruar publikun”, tha Lulzim Basha. Ai e shfrytëzoi edhe këtë moment për të hedhur akuza politike ndaj kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, përmes kësaj lëvizjeje Rama thjesht sa po i shton telashet vetes sepse së shpejti shqiptarët do ta shohin fytyrën e tij të vërtetë. “Këto metoda alla Putin dhe Maduro, për t’u mbyllur gojën dhe neutralizuar kundërshtarët politikë dhe shkatërruar demokracinë, thjesht do ta thellojnë më shumë gropën ku ka rënë Edi Rama dhe do ta bëjnë të pashmangshëm dhe të shpejtë fundin e keq të tij. Edhe fundin e bashkëpunëtorëve të Edi Ramës, pa asnjë përjashtim, nga kriminelët e bandave deri tek prokurorët e kriminalizuar që i shërbejnë Edi Ramës. Shqiptarët tani po shohin fytyrën e vërtetë të prokurorisë politike të Edi Ramës: institucioni që ndihmon dhe mbron Edi Ramën, Olsi Ramën, Linda Ramën, Vangjush Dakon, Damian Gjiknurin, Taulant Ballën, Ulsi Manjën, Arben Ahmetajn, Qazim Sejdinin, Jurgis Çyrben, Ilir Ndraxhin, Elvis Roshin, Pjerin Ndreun dhe kriminelët e tjerë, që mbron qeveritarët e korruptuar deri në palcë, punon vetëm për të luftuar kundërshtarët politikë të regjimit dhe qytetarët që ngrenë zërin kundër tij”, u shpreh Lulzim Basha.

Marketing