Rezultati i pritshëm në disfavor të marrjes së datës për fillimin e negociatave ka hapur debatin për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Epilogun e takimit të fundit Zaev – Merkel, ku thuajse u vendos se datë s’do të ketë as në qershor dhe as korrik, opozita e cilësoi si përgjigje për dështimin e kësaj qeverie, prandaj kërkoi zgjedhje të parakohshme.
VMRO DPMNE në opozitë kërkon qeveri teknike sipas modelit të Përzhinës e cila do të përgatiste zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Deputeti i VMRO DPMNE-së Vllatko Gjorçev akuzoi kryeministrin për mashtrime.
“Ai është i lodhur nga premtimet dhe gënjeshtrat. Nuk mundet gjatë gjithë kohës të mashtrojë të gjithë. Po vjen qeveri e Përzhinës. Kështu qëndron në ligj. VMRO DPMNE do të fitojë ministri, do të ketë ministra dhe zëvendësministra. Zaev po ik dhe do të ketë përgjegjësi.” – deklaroi Gjoreçev.
Edhe Aleanca për Shqiptarët kërkon zgjedhje të parakohshme.
“Në përputhje me deklaratat e deritanishme të Kryeministrit Zaev, dështimi i qeverisë LSDM-BDI për t’i hapur negociatat për anëtarësim këtë verë duhet të hapë rrugën për krijimin kushteve për të përgatitur vendin për zgjedhje të parakohshme, si parakusht për krijimin e një koalicioni vërtet reformist i çliruar nga hipotekat e regjimit VMRO-BDI dhe i cili ka fuqinë dhe vullnetin politik për të materializuar perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut.”-thuhet në kumtesën e ASH-së.
A do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare ose rekonstruim të qeverisë dhe përqendrim në zbatimin e reformave, LSDM do të vendos gjatë kësaj fundjave.
“Të dielën, Këshilli Qendror i partisë do të mbajë mbledhjen në Ohër dhe në parim kjo do të jetë pjesa më e rëndësishme e diskutimit.”- deklaroi zëvendëskryetarja e LSDM-së, Radimilla Sheqerisnka.
“Mesazhet dhe mbështetja e madhe e vendeve anëtare të BE-së, duhen të merren në konsideratë pasi askush nuk e shtron çështjen se a duhet të jepet data, por se kur duhet të ndodhë kjo,”-thekson Sheqerinska.
Ndërkaq, BDI deklaron se është e gatshme për zgjedhje por konsideron se vendi duhet të intensifikojë dinamikën e reformave dhe të përgatitet për nisjen e bisedimeve këtë vit, konformë mesazheve që ka marrë nga miqtë ndërkombëtar.