Rasti Alioski, reagon Komiteti i Helsinkit

Futbollisti i përfaqësues së Maqedonisë së Veriut, Ezgjan Alioski, pas skandalit të mbrëmshëm ku u dëbua nga restoranti në Prilep për shkak të komunikimit të tij në gjuhën shqipe, sot ka vendosur që të largohet nga vendi dhe të shkojë në pushim.

Marketing

Prindërit e tij, për Alsat thonë se shkak kryesorë i ikjes së tij nga Maqedonia ka qenë stresi që mbrëmë i shkaktoi dëbimi nga restoranti, vetëm pse foli shqip. Me rastin në fjalë po merren edhe organet e rendit. Policia e Prilepit ka zhvilluar bisedë informative me pronarin dhe punëtorët e restorantit ku ndodhi skandali si dhe me familjarët e Alioskit që ishin të pranishëm gjatë debatit me kamerierin, i cili pasi i pranoi, u tha që nuk ka vend për ta.

Stacioni policor në Prilep, ka marr masat e nevojshme, menjëherë është gjetur pronari i restoranti, është bërë bisedë me të, gjithashtu edhe me të punësuarit në atë objekt. Janë mbledhur edhe fakte dhe dëshmi që janë të nevojshme për tu qartësuar ky rast dhe kur të dokumentohet i gjithë rasti apo kur të mblidhen të gjitha dëshmitë, do ta dorëzojmë njoftimin në Prokurorinë Publike për procedim të mëtejshëm”-tha Toni Angellovski, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Dëbimin e Alioskit nga restoranti në Prilep e dënojnë ashpër nga Komiteti i Helsinkit. Sipas kësaj organizate, dëbimi i njerëzve vetëm pse flasin gjuhë tjetër, është diskriminim i pastër në baza të përkatësisë etnike.

Komiteti i Helsinkit e dënon ashpër sjelljen diskriminuese ndaj futbollistit Ezgjan Alioski dhe dëbimin e tij nga restoranti në Prilep, për shkak se ai ka folur në gjuhën shqipe. Në rastin konkret bëhet fjalë për diskriminim të drejtpërdrejt në bazë të përkatësisë etnike dhe gjuhës, në vend të sjelljes dhe qasjes së mirë. Komiteti i Helsinkit edhe më herët ka regjistruar dhe denoncuar raste të kufizimit të pjesëmarrjes në objekte hotelerike në Prilep në baza të përkatësisë etnike.

I bëjmë thirrje Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi, që në suaza të autorizimeve ligjore të iniciojë procedurë në bazë zë detyrimeve ligjore dhe ta shqyrtojë këtë rast”, thonë nga Komiteti i Helsinkit, transmeton Klan Kosova.
Edhe Avokati i Popullit e dënon rastin e dëbimit të Alioskit nga restoranti në Prilep dhe çdo rast tjetër ku ka dukuri të diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes. Rasti i mbrëmshëm shkaktoi reagime të shumta në opinionin publik. Por ky nuk është rasti i vetëm i shënuar këtyre ditëve, kur urrejtja zë vend edhe në sport. Ministria e Punëve të Brendshme po vazhdon me mbledhjen e informatave dhe identifikimin e personave, pjesë e grupit të tifozëve “Komitët” për fyerje ndaj shqiptarëve dhe përdorim të gjuhës së urrejtjes, gjatë natës kur festohej fitorja e klubit të Hendbollit Vardari.