Pasi presidenti Stevo Pendarovski deklaroi dhe kërkoi nga Këshilli Evropës (KE), që Maqedonia e Veriut të mos vlerësohet në pako me Shqipërinë për të nisur procesin e hapjes së negociatave me BE-në, ka reaguar edhe kryeministri shqiptar Edi Rama. Rama këtë deklaratë të Pendarovskit e konsideron të çuditshme, ndërsa kujton kontributin kyç të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj në zhvillimet demokratik të Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, kjo kërkesë e Pendarovskit, nuk duket as e drejtë dhe as praktike.
“Presidenti Stevo Pendarovski nënkupton favorizimin e ndarjes nga Shqipëria në vendimin për negociatat? Çudi kjo qasje, sidomos kur konsideron kontributin kyç të Shqipërisë dhe shqiptarëve në zhvillimet demokratike dhe rrugën evropiane të shtetit mik. S’duket as e drejtë as praktike faktikisht”, ka reaguar Rama. Nga ana tjetër, lidhur me këtë debat ish-diplomati Muhamed Halili në prononcim për gazetën KOHA, thotë se në bazë të parimeve që i ka BE-ja, çdo shtet duhet të vlerësohet sipas të arriturave vetanake dhe këtu nuk ka asgjë të keqe.
“Por, mendoj se kjo është keqkuptuar, nuk është kjo ajo që duhet të bëjë presidenti Pendaroveski. Ai duhet ta sheh nëse Maqedonia e Veriut i ka plotësuar kushtet për tu bërë anëtare. Komisioni Evropian (KE) ka vlerësuar se prej vendeve të cilat janë vende aspiruese për tu anëtarësuar, një përparim të dukshëm ka bërë Maqedonia dhe Shqipëria, dhe këtu dilema nuk ka. Mirëpo hendikepi i Shqipërisë është se ato bëjnë një regres nga koha prej kur është bërë vlerësimi i Shqipërisë se ai i përmbush kërkesat. Shqipëria ka bërë një regres në lidhje me dialogun politik dhe e kanë vënë shtetin në rrezik duke u joshur pas karrigeve. Por kjo nuk është punë e Presidentit Pendarovski që ta vlerësoj. Punë e tij është që të tregojë nëse Maqedonia i plotëson kushtet ose jo”, deklaroi Halili.
Ai kujton se një rast të tillë e ka pasur edhe me kartën e Adriatikut ku ishte Shqipëria, Maqedonia Kroacia dhe Mali i Zi për anëtarësim në NATO. “Ne si përfaqësues të Maqedonisë, si ambasador, kërkonim që të shkojmë në pako sepse ne atëherë kishim vështirësi, pasi që pakoja jonë kushtëzohej prej Greqisë. Edhe në këtë rastin konkret, pakoja e Shqipërisë kushtëzohet prej Holandës , plus Gjermanisë dhe Francës, pak edhe prej Danimarkës. Nëse ne presim që të gjitha vendet ti heqin ato barrierat e tyre problem i madh do të ishte deri kur ne do të mund të anëtarësohemi në BE. Nuk është punë e Pendarovskit që të vlerësojë se a shkohet në pako apo jo, janë vendet anëtare që e thonë atë”, thekson Halili.