Bilalli: Marrëveshja e Prespës do sjell edhe fillimin e negociatave brenda këtij viti

Një vit nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës, vendi po shijon frytet e saj të para. Përveç tejkalimit të kontestit dypalësh me Greqinë fqinje, për shkak të të cilit vendet mbanin raporte të ftohta dypalëshe, kjo Marrëveshje i hapi rrugën procesit eurointegrues të vendit.

Marketing

Profesori universitar Mersel Bilalli, thotë se vendi ka bërë një hap gjigand në drejtim të anëtarësimit në NATO, për më pak se një vit nga nënshkrimi i kësaj Marrëveshje.

“Pra edhe pas një viti dëshmohet se është fjala për një marrëveshje historike, e cila realisht debllokoi procesin eurointergrues të Maqedonisë së Veriut dhe siç shihet pra pjesa dërmuese e anëtarëve kanë bërë ratifikimin e protokollit, besoj se së shpejti edhe anëtaret tjera do ta bëjnë dhe nga fundi i tetorit apo fillimi i nëntorit do të përmbyll e gjitha dhe Maqedonia e Veriut do të merr pjesë si anëtare fuqiplotë në Samitin e NATO-s, i cili do të mbahet në dhjetor.” – deklaroi profesori universitar, Mersel Bilali.

Përveç zhbllokimit të procesit të anëtarësimit të NATO, ku mbase çështja e emrit ishte pengesa e vetme, Marrëveshja e Prespës përshpejtoi edhe procesin e integrimit evropian, konsideron Bilalli. Sipas tij, Marrëveshja do të na sjell edhe datën edhe fillimin e negociatave brenda këtij viti.

“Realisht, Maqedonia me siguri se duhet të pres satisfakcionin dhe ajo gati është shumë e sigurtë, çështja e datës së bisedimeve dhe vetë startimi i bisedimeve dhe mendoj se ajo do të jetë diku fillimi i tetorit, pasi gjatë shtatorit do të kalojë procedurën parlamentare në bundestagun gjerman, kështu që këto dy dhurata janë pasojë e Marrëveshjes së Prespës.” – tha Bilali.

Sipas Bilallit, mjaftonte vetëm një vit nga nënshkrimi për të rënë poshtë të gjitha akuzat e kundërshtarëve të saj. Një vit më parë palët u dakorduan për zgjidhjen e kontestit tre dekadash për dallimet rreth emrit, përkatësisht me ndërmjetësim të OKB-së dhe ndihmën e miqve evropian, palët rranë dakord për përcaktim gjeografik, dhe tani vendi mban emrin Republika e Maqedonisë së Veriut.