Konkluzat e Këshillit të Ministrave – viza s’ka, paralajmërime dhe kritika qeverisë për gjithçka

Vendimi lidhur me propozimin(për liberalizimin e vizave) është duke u shqyrtuar në Këshill”, ndërsa “përmbyllja pa shtyrje të mëtejshme të marrëveshjes(me Serbinë), me lehtësimin e Përfaqësuesit të Lartë, është qenësore që Kosova dhe Serbia të lëvizin në shtigjet respektive evropiane”.

Marketing

Këto janë dy pjesë kyçe nga Konkluzat e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian që do të miratohen në mbledhjen e sotme dhe të cilat Klan Kosova i ka siguruar në tërësinë e tyre.

Të ashpra, të qarta dhe shqetësuese, ato duhet të jenë sirena alarmi për qeverinë, ngaqë në tërësinë e tyre përshkruhen nga kërkesa për të bërë diçka ndryshe nga ajo që po bëhet aktualisht.

Në trembëdhjetë nga katërmbëdhjetë pikat të cilat i ka miratuar Këshilli, kërkohet ndryshim – qoftë një dinamikë e re, qoftë një pozicion ndryshe nga ai që aktualisht mban Qeveria e Kosovës.

Kritikat e Këshillit të Ministrave janë veçanërisht të ashpra për taksën ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, për punësimet e njerëzve me precedent penalë, për mosimplementimin e Asociacionit, për mosçeljen e Urës së Mitrovicës, dhe për mënyrën si po trajtohet Gjykata Speciale.

Por për Qeverinë e Kosovës pjesa më e rëndë duhet të jetë ajo tek pika e fundit, që flet për liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit, që përmbyllet me fjalinë me të cilën hapet ky shkrim – se vendimi për këtë gjë është akoma në shqyrtim.

Siç është bërë e qartë, sa i përket taksës, kërkesa është e palëkundur: ajo nuk është në frymën evropiane dhe po e pengon bashkëpunimin rajonal, e rrjedhimisht dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Konkluzat e Këshillit adresojnë po ashtu edhe kritikat, që deri tani kësaj qeverie i janë bërë nga shoqëria civile, për mungesën e vendosmërisë në trajtimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Këshilli mbetet i shqetësuar për ndërhyrjet politike në emërimet e pamerituara dhe shpreh keqardhje për caktimin e njerëzve të dënuar për krime lufte në pozita të tilla, që është në kundërshtim me vlerat evropiane”.

Duke adresuar kritika të shumta në plotninë e pjesës për Kosovën, Konkluzat e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian shprehin mospajtimin e BE-së për rrugën dhe mënyrat që po përdor Kosova, si paralajmërim për pozicionin që do të mbahet në çështjet që lidhen me agjendën evropiane të vendit.