Osmani i përgjigjet Nikollovskit: Qëndrimet e pamatura po krijojnë përçarje

Zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani i është përgjigjur akuzave të nënkryetarit të VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski për “marrëveshje” me ish-minsistrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati. Osmani në shkrimin e tij në Facebook ka shkruar se Maqedonia nuk mund të ndikoj në procesin e eurointegrimeve në Shqipëri dhe anasjelltas. Nikollovski më parë kishte deklaruar se Osmani dhe Bushati me planin 3-6-9 janë marrë vesh për frenimin e reformave në Maqedoni, me qëllim që të mbulohen dështimet e Shqipërisë në këtë fushë, duke marrë parasysh se të dy vendet pretendojnë të marrin datën për fillimin e negociatave me BE-në.

Marketing

“Veç më një kohë të gjatë qëndrimet e pamatura po krijojnë përçarje jo vetëm në indin tonë të brendshëm – marrëdhëniet e suksesshme multietnike, por edhe në adutin tonë më të fuqishëm – marrëdhëniet e suksesshme me fqinjët. Shqipëria është mik i yni, vend i cili lobonte me bujari nga brenda për integrimin tonë në NATO, dhe vend i cili, po ashtu si ne, shpreson në sukses të integrimeve evropiane. Nuk ekziston Ballkan stabil, përveç atij i cili është plotësisht i integruar në Bashkimin Evropian dhe NATO, e aq më pak, nuk ekziston vend stabil askund në botë, që nuk i respekton dhe kujdeset për marrëdhëniet me fqinjët e vet. T’ju përgjigjem dilemave tuaja: as ne nuk mund të ndikojmë në procesin e integrimeve evropiane të Shqipërisë, e as ata nuk mund ta pengojnë progresin tonë; e vetmja gjë që mund të bëjmë është t’i ndihmojmë njëri tjetrit, sepse kemi një qëllim të përbashkët – të shohim Ballkanin Perëndimor të integruar në BE, dhe që është edhe më e rëndësishme, të mbetemi miq të mirë në atë rrugë me respekt të sinqertë ndaj njëri tjetrit”, ka shkruar Osmani.