Takohen drejtorët e Fondeve të sigurimit pensional të vendeve të ish Jugosllavisë, diskutojnë avancimin e shkëmbimit elektronik të të dhënave

Nga data 19-21 qershor të vitit 2019 në Hotel “Ineks Gorica”, në Ohër, në organizim të Fondit të sigurimit pensional dhe invalidor të Maqedonisë së Veriut, mbahet takimi i 11-të i drejtorëve të fondeve-enteve për sigurim pensional dhe invalidor të vendeve nga ish RSFJ-së.

Marketing

Në këtë takim marrin pjesë përfaqësues të fondit të Republikës së Sllovenisë, Republikës së Kroacisë, Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Republikës të Malit të Zi, Republikës së Serbisë, Republika Srpska, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Austrisë, mysafirë i veçantë Atasheu për çështje sociale pranë Ambasadës së Republikës së Austrisë në Beograd z. Oliver Hill dhe Atasheu për punë dhe politikë sociale, shëndetësi dhe mbrojtje të konsumatorëve të Republikës së Austrisë në Maqedoninë e Veriut, z. Herald Fuger.

Nikoqir i takimit është Shaip Zeneli, drejtor i Fondit të SPIMV-së, i cili përshëndeti të pranishmit dhe u uroi atyre punë të suksesshme në takimin në Ohër, duke theksuar rolin e rëndësishëm të këtij takimit, me shpresë për të kontribuar në zgjidhjen e problemeve ekzistuese me të cilat përballen fondet e sigurimit pensional dhe invalidor të vendeve nga ish RSFJ-së.

Drejtori i FSPIMV-së, njoftoi të pranishmit me vendosjen organizative dhe punën e Shërbimit profesional të Fondit të SPIMV-së, me sistemin e sigurimit pensional dhe invalidor në vendin tonë, të dhënat statistikore dhe dispozitat ligjore në vitet e fundit.

Tema kryesore e diskutimit në këtë takim është “Perspektivat e lëvizjes së numrit të pensionistëve në dhjetë vitet e ardhshme”. Vendet pjesëmarrëse në takim prezantojnë dhe informojnë për ndryshimet e dispozitave në sigurimin pensional dhe invalidor, çështjet në zbatimin e marrëveshjeve bilaterale për sigurim social, përvojën e përbashkët gjatë zbatimit të marrëveshjeve për shkëmbimin elektronik të të dhënave me vendet me të cilat është nënshkruar marrëveshja etj.
Për risitë në Ligjin e sigurimit pensional dhe invalidor të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe mbi mënyrën e pagesës së përfituesve të pensionit që jetojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në territorin e ish-RSFJ-së, të pranishmit u njoftuan nga ana e delegacionit të Fondit të sigurimit pensional dhe invalidor të Maqedonisë së Veriut.
Në takim, pjesëmarrësit gjithashtu u mirëpritën nga Ministrja e punës dhe politikës sociale Mila Carova dhe kabineti i kryetarit të komunës së Ohrit.

Drejtori i Fondit të SPIMV-së dhe Ministrja e punës dhe politikës sociale Mila Carovska deklaruan para gazetarëve rreth mbajtjes së takimit në Ohër.

Ministrja në takim informoi pjesëmarrësit për reformat në sistemin pensional duke theksuar se me reformën pensionale dhanë të gjithë ngapak, të rinjtë dhe të moshuarit dhe është bërë kursim prej 4 miliardë denarësh në Fondin e SPI-së, kështu që sistemi është stabilizuar dhe është siguruar pagesë e sigurtë dhe e vazhdueshme e pensioneve. Pas reformës pensionet janë paguar pa hua nga shteti.

Gjithashtu, me Ligj është paraparë harmonizimi i pensioneve dy herë në vit dhe një harmonizim i tretë që do të bëhet nëse kemi një rritje ekonomike mbi 4 përqind.
Kjo do të thotë se, më tutje nuk do të ketë ad hok rritje, por harmonizimi do të bëhet sipas kornizës ligjore, theksoi Carovska.

Takimi do të vazhdojë edhe gjatë ditës së nesërme, 21 qershor ku do të diskutohet lidhur me përpunimin elektronik të të dhënave, rezultatet, mundësitë, proceset si dhe parakushtet për avancim në zbatimin e marrëveshjeve për shkëmbimin elektronik të të dhënave mes fondeve pjesëmarrëse në takim.