Sektori civil dhe sindikatat kërkojnë t’i jepet fund “regjimit” të përmbaruesve

Iniciativa “5 në 12” para Ministrisë së Drejtësisë erdhi pikërisht pesë minuta para mesditës, me simbolikën që ky institucion e ka mundësinë e fundit për t’i plotësuar kërkesat e sindikalistëve përpara se ata të radikalozojnë protestën. Disa prej krerëve të Sindikatave dhe shoqërive civile u mblodhën tek kjo Ministri një ditë pas dorëzimit të kërkesës për të paralajmëruar edhe grevë nëse nuk hiqet “regjimi” i përmbaruesve. Sipas Marjan Risteskit, Ligji i ri për përmbarim nuk është retroaktiv, edhe pse pushteti këtë e paralajmëronte dhe premtonte. Ata ankohen se përmbaruesit i kanë aktivizuar të gjitha lëndët që i kanë pasur nëpër sirtarë, që të fitojnë sipas çmimeve të vjetra që i parashihte ligji paraprak.

Marketing

Së paku 30 përmbarues kriminelë duhet të japin përgjegjësi për krimin e bërë. Në këtë godinë, ministrja i ka listat dhe të gjitha faktet e përmbaruesve, të cilët duhet të përgjigjen para drejtësisë. Shuma milionëshe janë shpenzuar në dëm të qytetarëve. Këtë e dëshmojmë ne, shikojeni çfarë profiti milionësh kanë arkëtuar këta përmbarues. Kurse, deklarojnë se fitojnë pak. Ku janë atë para që iu plaçkitën qytetarëve? – tha Marjan Risteski- Nisma “Stop për përmbaruesit”.

Nga Ministria e Drejtësisë konfirmojnë situatën, edhe pse thonë se synimi kryesor i ndryshimeve ligjore ka qenë që të ulen shpenzimet e procedurave para përmbaruesve, edhe atë për qytetarët më të varfër që nuk mund t’i paguajnë faturat për shpenzime komunale. Në anën tjetër, përmbaruesit akuzojnë ministren e drejtësisë Deskoska se me uljen e tarifës së përmbaruesve do t’i vë çelës zyrave të tyre.