Opozita shqiptare përgatit amendamente për propozim/ligjin për regjistrimin e popullsisë. Ata kërkojnë debat mbi kërkesat e tyre dhe rishikimin e çështjeve kontestuese.
Do të ketë amendamente të caktuara të cilat shpresojmë se do të merren parasysh dhe jo të mbivotohen për atë arsye ne kemi vlerësuar se opozita, por edhe sektori civil të jetë që në fazën e parë pjesë e këtij procesi me qëllim që ai të ketë një besueshmëri më të madhe – deklaroi Flakron Bexheti, Aleanca për Shqiptarët.
Me siguri që do të ketë së paku katër deri pesë propozim-intervenime. Për fat të keq ne nuk jemi përfshirë në grupet e punës dhe detyrohemi që ta shfrytëzojmë hapësirën e debatit parlamentar për të imponuar propozimet tona – tha Arianit Hoxha, Lëvizja Besa.
Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët kërkojnë që procesi të mos politizohet por të sigurohen të dhëna të besueshme statistikore. Arianit Hoxha nga Lëvizja Besa thotë se është e nevojshme të sigurohet përbërje muletnike në organet që do të zbatojnë regjistrimin duke filluar nga krijimi i mekanizmit të mirëbesimit në Entin e Statistikës.
Për të pasur një regjistrim të besueshëm, normalisht që, grupet e punës në terren që do të bëjnë regjistrimin duhet të përmbushin karakterin multietnik. Ashtu sin ë pjesët me shumicë shqiptare që ka ekipe të përziera, duhet edhe në pjesën lindore, edhe aty ku nuk ka aspak shqiptarë, të ketë shqiptarë të cilët do të bëjnë regjistrimin që në fund të dalim me një regjistrim të pranueshëm -u shpreh Arianit Hoxha, Lëvizja Besa.
Flakron Bexheti nga Aleanca për Shqiptarët thotë se duhet të rishikohen dispozitat për regjistrimin e diasporës.
Është një mundësi e mirë që qytetarët që jetojnë jashtë të kenë mundësi numrin e tyre amë të ja japin ndonjë familjari. Ka edhe një mundësi tjetër për t’u regjistruar “online” dhe ëktu ekziston dyshimi se nëse një pjesë regjistrohet nëpërmjet një të afërmi apo familjari dhe nëse në të njëjtën kohë dikush prej tyre mund të jetë i regjistruar “online” do të ketë një problem shtesë ku do të vijë deri të kryqëzimi i të dhënave dhe ka mundësi që të fshihen – theksoi Flakron Bexheti, Aleanca për Shqiptarët.
VMRO-DPMNE-ja ka njoftuar se në rast se nuk përfshihen në përpilimin e propozim/ligjit ka mundësi të bojkotojnë të gjithë procesin. Enti i Statistikës nga ana tjetër, kishte njoftuar se të gjitha partitë parlamentare kanë pranuar një kopje të propozim/ligjit që në muajin nëntor, por se nuk kanë adresuar vërejtje. Ligji është në procesurë parlamentare duke pritur seancën e parë të Komisionit për çështje evropiane. Regjistrimi i popullsisë pritet të bëhet nga 1 deri 21 prilli i vitit 2020. Ai përfshin edhe mundësine regjistrimit të diasporës duke filluar nga 1 marsi i po të njëjtit vit. Alsat-M