Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë, u takua me Ministrin e Punëve të Jashtme gjerman, Heiko Maas.
Në takim u shkëmbyen pikëpamjet mbi marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës Federale të Gjermanisë, ku u konkludua se të dyja vendet kanë ndërtuar marrëdhënie miqësie, të mbushura me besim dhe respekt të ndërsjellë.
“Presidenti Pendarovski vlerësoi se Republika Federale e Gjermanisë është partner politik dhe partneri më i madh tregtar i Republikës së Maqedonisë së Veriut, një shtet që vazhdimisht mbështet aspiratat tona për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, thuhet në deklaratën e kabinetit të Presidentit.
Presidenti Pendarovski gjithashtu u shpreh i kënaqur me ratifikimin e protokollit nga Bundestagu gjerman për pranimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO.
Presidenti Pendarovski dhe Ministri Maas shkëmbyen mendime mbi zhvillimet e fundit lidhur me integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.
“Republika e Maqedonisë së Veriut në periudhën e kaluar ka bërë shumë përpjekje në përmbushjen e kritereve evropiane dhe se realizimi i agjendës së reformave do të vazhdojë”, tha Pendarovski.
Në këtë drejtim, Presidenti Pendarovski riafirmoi pritjet për caktimin e një date për fillimin e negociatave të pranimit me Bashkimin Evropian.