Shqipëria është vendi i parë në Evropë, i padiskutueshëm, sa i përket punës së papaguar që bëjnë gratë, pra punëve shtëpiake, si në terma absolutë, pra të orëve që shpenzojnë çdo ditë, ashtu edhe në raport me meshkujt. Këtë gjë e thotë një raport i fundit i publikuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për progresin e grave dhe vajzave në botë për 2019-2020.
Gratë në Shqipëri shpenzojnë nga 360 deri në pak më shumë se 500 minuta në ditë për të kryer punë shtëpie dhe për t`u kujdesur pë fëmijët, ose punë të papaguar siç i referohet OKB.
Më saktësisht, 360 minuta në ditë, ose 6 orë në ditë, harxhojnë gratë shqiptare pa fëmijë, dhe 500 minuta, ose plot 8 orë në ditë është mundi i grave shqiptare me fëmijë të vegjël, transmeton ‘Scan’.
Kjo e vendos Shqipërinë në krye të listës globale të vendeve ku gratë bëjnë më shumë punë shtëpie. Por, rekordi nuk ndalet me kaq, përcjell albinfo.ch.
Ndërkohë që femrat shqiptare janë ato që bëjnë më shumë punë shtëpie, meshkujt shqiptarë janë ata që bëjnë më pak, mesatarisht 50 minuta në ditë.
Paradoksi te meshkujt është edhe më i madh për vetë faktin se, meshkujt pa fëmijë, rezultojnë se bëjnë më shumë punë shtëpie se ata me fëmijë, çka ilustrohet nga ngjyra bojë qielli në grafik.
Ky rekord çon në një rekord të tretë; raportin meshkuj-femra sa i përket punëve shtëpiake.
Ky raport, në 6 me 1 në kurriz të femrave sa i përket kohës së shpenzuar, bën që Shqipëria të ketë një rekord evropian në këtë drejtim.
Gjetjet e raportit më të fundit të OKB janë në linjë me ato të raportit të ILO-s një vit më parë, mbi të njëjtën çështje.