Pasi që Kuvendi në seancën e djeshme shkarkoi ministrin për Financa Dragan Tevdovski, ai në profilin e tij në Facebook ka falënderuar ekipin e tij të bashkëpunëtorëve, dhe bëri të ditur se do të kthehet plotësisht i përkushtuar në punën e tij si profesor në Fakultetin Ekonomik në Shkup.
“Ishte nder i madh të drejtoj institucionin më të mirë në vend. Jam krenar që kam pasur një ekip të shkëlqyer me të cilin nuk kisha frikë të futem në asnjë betejë. Falënderoj punonjësit e Ministrisë së Financave që kanë punuar pa u kursyer për zbatimin e reformave.Gjëja më e mirë për mua që kam marrë këto dy vite vjen këto ditë kur qytetarët më ndalojnë dhe më thonë: “bravo dhe kokën lart”. Kjo është mënyra më e mirë për tu larguar nga një ministri. Prandaj, me kokën lartë dhe plotësisht i përkushtuar, kthehem në Fakultetin Ekonomik”, shkruan Tevdovski.