Institucioni Avokat i Shtetit po përballet më mungesë të kuadrove të punës, avokatëve shtetërorë, si dhe pjesën teknike të tij.
Sekretarja shtetërore pranë këtij institucioni, Andrijana Sllivoska, ankohet se hasin në shumë vështirësi që të mbulojnë numrin e madh të lëndëve në nivel shtetëror, e sidomos në kryeqytet, ku janë të angazhuar vetëm 12 avokatë shtetërorë. Për shkak të numrit të madh të lëndëve dhe vështirësisë për t’i mbuluar të gjitha, disa institucioneve shtetërore, si Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes, u është lejuar që mbrojtjen ta realizojnë me përfaqësues të zgjedhur nga institucioni i tyre.
“Me aq numër të madh të lëndëve, 12 avokatë në Shkup, në qytetet e tjera varësisht 1, 2 apo 3 avokatë, është e vështirë. Shpresojmë se Qeveria do t’i kuptojë nevojat tona, se duhet patjetër të rritet numri i avokatëve shtetërorë me këtë numër aq të madh të lëndëve që punohen. Numri i madh i lëndëve ka të bëjë me atë se ky institucion merr pjesë edhe në procedurat falimentuese, administrative, procedurat për eksplorim, denacionalizim, dhënie të mendimeve dhe procedura të tjera gjyqësore”,- tha sekretarja gjenerale e Avokatit të Shtetit, Andrijana Sllivoska.
Instituti për të Drejtat e Njeriut: Mungesa e kuadrove, stërzgjat zgjidhjen e lëndëve
Edhe në raportin gjashtëmujor të Institutit për të Drejta të Njeriut, që ka të bëjë me ndjekjen e punës së Avokatit të Shtetit, theksohet se institucioni ka mungesë kuadrosh, e si pasojë vështirësi për të proceduar lëndët. Kjo çon në anulimin e shpeshtë të lëndëve, që do të thotë edhe shpenzime shtesë.
“Akoma është prezente nevoja për resurse njerëzore, pasi që ndjehet mungesa, ndërsa ajo është e qartë kur Avokati Shtetëror nuk mund t’i mbulojë të gjitha përfaqësimet para gjykatave, pasi është angazhuar edhe në procedura të tjera. Në këtë periudhë në Gjykatën Themelore në Shkup ka 1008 lëndë, prej të cilave kanë mbaruar 366 lëndë”,- theksoi Vera Koço nga Instituti për të Drejtat e Njeriut.
Në Raportin që përfshin 6 muajt e parë të vitit, citohet edhe bashkëpunimi i ulët mes avokatit të shtetit dhe institucioneve që ai përfaqëson. Sipas Raportit, në Gjykatën Administrative ka akoma procedura për denacionalizim me 1167 lëndë, ndërsa në Gjykatën Supreme Administrative 206 lëndë deri në prill 2019. Si problem u theksua edhe kompensimi i ulët që gjykohet për ekspropriacionin e tokës me të cilin sipas këtij raporti nuk sigurohet shuma e garantuar me kushtetutë, që kompensimi të jetë në nivelin e çmimit të tregut të patundshmërive.