Ismaili: Bashkëpunimi mes Shkupit dhe Ankarasë zhvillohet në frymën e miqësisë dhe traditës

Ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, sot mori pjesë dhe mbajti fjalim në hapjen solemne të Kongresit të 5-të Ndërkombëtar të Shkencave Shoqërore, i cili që këtë vit mbahet në Shkup në bashkëpunim me Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik, Universitetin e Trakisë, Universitetin Namik Kemal nga Tekirdagu dhe Universitetin Marmara.

Marketing

Në fjalimin e tij përshëndetës, ministri Ismaili u shpreh i kënaqur nga bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë që zhvillohet në frymën e miqësisë dhe traditës, me përpjekjet e vazhdueshme për ta avancuar atë.

Ministri Ismaili foli mbi rëndësinë e paçmuar që kultura, shkenca dhe arsimi i kanë në ndërtimin e miqësisë dhe besimit ndërmjet vendeve në botë, duke i përmendur projektet e shumta të cilat i kanë realizuar bashkërisht në kulturë, art, botimin e librave, bashkëpunimin me TIKA-n, si dhe bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe shkëmbimit të përvojave që paraqesin një shembull të ndritshëm dhe afirmimin e vlerave universale të cilat ndihmojnë që të ketë respekt më të madh reciprok, njohje dhe ndërtim të një bote të tolerancës, të pasur me dallime të cilat ndërmjet vete plotësohen duke krijuar një cilësi të re.

Organizator i Kongresit i cili sot dhe nesër mbahet në Universitetin Ballkanik është Kryetari i Dhomës Ligjvënëse të Turqisë, prof. dr. Mustafa Shentop. Në hapjen ishin të pranishëm edhe ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tulin Erkal Kara, ministri i Administratës Publike të Republikës së Kosovës, Mahir Jagxhilar, zëvendëskryetari i Kuvendit të Republikës Turke të Qipros së Veriut, Zorlu Tore, mysafirë të lartë nga Turqia, deputetë dhe profesorë nga të dyja vendet.

Kongresi mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë, TIKA, Instituti Junus Emre, Unioni i Komunave i Turqisë, Komunat: Osmangazi, Bahçelievler, Sivas dhe Sulejmanpasha nga Turqia, Turkish Erllajns dhe Oda Ekonomike e Izmirit. Përveç pjesës protokollare do të mbahen edhe tri panele me pjesëmarrjen e panelistëve eminentë nga vendi dhe jashtë.