Qytetarët për herë të parë kanë mundësi të kërkojnë kthim të 15 për qind nga Tatimi i paguar i Vlerës së Shtuar (TVSH) pasi sot fillon zbatimi i projektit qeveritar “TVSH-ja ime”.
Nga sot , qytetarët do të mund t’i skanojnë bar- kodet e faturave fiskale, përmes të cilave do të mund të marrin 15% kthim të tatimit. Nga kjo datë, në qarkullim do të jetë edhe aplikacioni “Moj DDV” (TVSH-ja ime), përmes të cilës do të mund t’i kthejnë paratë nga produktet e blera me tatim prej 18%. Ndryshe, një familje prej katër anëtarëve, do të mund të realizojë kthim të TVSH-së prej maksimum 28.800 denarëve në vit ndërsa mjetet nëpër llogaritë e tyre qytetarët do t’i marrin në çdo tre muaj. Këtë mundësi do ta ketë çdo qytetar i moshës mbi 15 vjeçe, i cili ka llogari në bankë dhe është pjesë e sistemit E- tatime në DAP.
Kthim të TVSH-së nuk mund të realizohet për fatura mbi 30.000 denarë. 98% të amvisërive mund të realizojnë kthim të TVSH-së në konsumin e tyre të përgjithshëm ndërsa për 2% të tjerë apo për të pasurit, do të ketë limit.
Pagesa e parë do të bëhet në dhjetor të vitit 2019, mjetet do të paguhen drejtpërdrejtë në llogaritë e qytetarëve, më pas pagesat do të bëhen në shkurt, maj, gusht dhe nëntor. Fatura do të jetë valide për skanim në afat prej 10 ditëve. Për qytetarët më të moshuar, do të ketë ekipe vullnetarësh nga DAP që do t’u ndihmojnë për instalimin e aplikacionit. Nga një telefon celular mund të shfrytëzohen më shumë profile. Kthimi bëhet vetëm për qytetarët, vlen vetëm për faturat fiskale, por jo edhe për fatura tjera dhe nuk do të vlejë për fatura fiskale të zhvlerësuara.