Opozita të hënën protestë, Basha: Bashkë do çmontojmë diktaturën

PD, LSI dhe partitë e koalicionit opozitar vendosin datën e protestës së ardhshme. 8 korrik ora 20:00 përpara Kryeministrisë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, do të zhvillohet protesta e 10-të kombëtare e “Opozitës së Bashkuar”. Kjo është protesta e parë pas votimeve të 30 qershorit.

Marketing

Vendimi erdhi pas mbledhjes që kryedemokrati ka zhvilluar këtë pasdite me Kryesinë, ish-grupin parlamentar dhe Kolegjin e Kryetarëve. Pas takimeve të zhvilluar pasditen e sotme, Lulzim Basha konfirmoi datën e protestës dhe ftoi qytetarët shqiptarë që t’i bashkohen aksionit të opozitës për të çmontuar diktaturën, siç u shpreh ai.

“Falenderoj 85% të shqiptarëve të cilët refuzuan votimet moniste. Dua të ftoj qytetarët shqiptarë të na bashkohen ditën e hënë në orën 20:00 në një protestë të madhe kombëtare për të qëndruar të bashkuar dhe për të vazhduar të vendosur pa asnjë hap pas betejën tonë për çmontimin e diktaturës. Të gjithë bashkë ditën e hënën në orën 20:00 në Tiranë”, u shpreh Basha.

Më herët, kryedemokrati ka zhvilluar konsultime edhe krerët e partive aleate.