Kryeministri Zoran Zaev publikusht ka propozuar mbajtjen e një takimi me liderin e opozitës maqedonase, Hristijan Mickovski për të diskutuar rreth çështjeve më të rëndësishme në vend, njofton TV Shenja.
Pas deklaratës së fundit të Mickovskit se ai më nuk do ta ndihmojë Zaevin në procesin integrues, Zaev tha se pret që VMRO-DPMNE të mbajë kursin e deritanishëm pro integrimeve dhe shtoi se gjithkush do të mbajë përgjegjësi për vendimet e tij para qytetarëve në zgjedhje.
“Është obligim i atij që të ndihmojë, është edhe obligimi juaj të ndihmoni edhe obligimi im, ne jemi para se gjithash qytetar të këtij vendi me qëllim strategjik integrim në BE. Unë mendoj se kush do të guxojë të mos ndihmojë, përgjegjësinë politikanët do ta bartin në zgjedhje.
Unë besoj se edhe VMRO-DPMNE do të mbetet në qëllimet strategjike të tyre, anëtarësimin në NATO dhe BE dhe në këtë pjesë do të ndihmojë. Veçanërisht në pjesën e ligjit të PSP-së ku besoj se duhet në kohë të shpejtë të zhvillojmë takim, të bisedojmë edhe për regjistrimin, për kodin zgjedhor, për tema që janë të rëndësishme, gjithkush të jep kontributin e vetë varësisht nga pozicioni që ka në shoqëri”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev.